Shqipëria përtej bregdetit
Të dëshmosh nomadët e fundit të Ballkanit
Çdo maj e qershor, 120 barinj kalojnë Dhëmbelin në këmbë me 15,000 krerë dhen për 220 kilometra nga ekstremi jugor i Shqipërisë për Gramozit...
Çdo vit, Qafa e Dhëmbelit në jug të Shqipërisë tërheq qindra e qindra ngjitës malesh nga Evropa perëndimore. Itinerari 11 kilometërsh ndan nëpër shtigje gurësh, pyjesh pishe dhe makiesh një nga krahinat e thella ortodokse të vendit me zonën e begatë të lumit Vjosë.
Në qershor të vitit që shkoi, ndalur tek një shkëmb prej ku vështrohej gjithë lugina, Fadili tregonte se si, kur u shemb komunizmi në Shqipëri, ai pati emigruar në Greqi për të bërë aq para sa të blinte tufën e vet të dhenve.
Fadili është bari dhe për të ai ballkon natyror prej ku vëreheshin qendra të vogla banimi, teqe bektashiane, minare dhe kisha ortodokse dhe pastaj radhët e maleve nga duhet të kalonte për të mbërritur në destinacion, ishte mesi i shtegëtimit të verës (estivage), rrugës dyjavore me 350 krerët e dhenve që nis nga ekstremi jugor i Shqipërisë në brigjet e detit Jon për në kullotat e Malit të Gramozit (2554 metra mbi nivelin e detit), 220 kilometra në lindje të vendit. Për katërmbëdhjetë ditë, ai dhe kushëriri i tij Çimi mjelin delet në darkë, ngrenë kasollet dhe shtrojnë për të fjetur, çohen në katër të mëngjesit për t`i mjelë dhe çmontuar kasollet, çojnë qumështin në baxhot e djathit gjatë rrugës, dhe pastaj marshojnë për katërmbëdhjetë orë deri në kampin e radhës.
Itinerare transhumane qindravjeçare
Shtegëtimet e bagëtive nga brigjet e Adriatikut dhe Jonit për në brendësi të vendit janë itinerare transhumante qindravjeçare që bënin popullsitë baritore të Ballkanit perëndimor për t’ju larguar vendeve të thata përgjatë bregdetit dhe dimrit të ashpër nga kullotat malore. Është mënyrë jetese e praktikuar prej shumë popullsive në Mesdhe, prej piemontezëve që ndiqnin rrugët nga pllaja padane apo brendësia e Marsejës për në Alpe, prej baskëve dhe asturianëve që transferonin bagëtitë prej Pirenejve për në Zhirondë të Francës apo drejt jugut të Spanjës, berberëve të Marokut që ngjiteshin verës nëpër malet Atlas, barinjve të Abrucit që i çonin nga Apeninet për në pllajat e Pulias.
Çdo maj e qershor, 120 barinj kalojnë Dhëmbelin në këmbë me 15,000 krerë dhen për 220 kilometra nga ekstremi jugor i Shqipërisë për Gramozit, dhe kur afrohet bora e parë në fund të nëntorit dhe shirat kanë zënë bregdetin, marrin rrugën e kthimit në klima më të buta.
Tani, këtë rrugë nuk e bëjnë vetëm barinjtë…
“Tani çfarë nuk sheh ta bëjë atë rrugë,” thotë Fadili. “Kam parë turistë gjermanë që e bënin rrugën si unë.”
Pejzazhet e Evropës me vlerë për turizmin janë produkt i transhumancës, thuhet në një studim të Komisionit Evropian të vitit 2005.
Dhe njëqind vitet e fundit, mali nuk është më vetëm i blegtorit, shpjegon Guillaume Lebaudy-së, një etnolog që drejton Shtëpinë e Blegtorit në fshatin Champoléon në Alpet e Francës. “Tani blegtori e ndan me skiatorin, me alpinistin, me ngjitësin e maleve dhe së fundmi me aventurierin e makinave all-terrain.”
Transhumanca është braktisur si fenomen masiv në Evropën perëndimore, ndërsa tagjitë e gatshme, teknologjitë moderne në stalla, apo rrugët automobilistike kanë shkurtuar distancat që dikur kërkonin muaj dhe organizonin ritualet sociale në bazë të sezonalitetit të shtegtimit. Bagëtitë tani ngarkohen nëpër kamionë dhe rrugët dikur disajavore tani marrin vetëm disa orë.
Copëzimi i Ballkanit në shumë shtete, çakordoi rrugët e barinjve
Fenomeni është rralluar ose mekanizuar për shkak të urbanizimit masiv që prej gjysmës së dytë të shekullit XX.
Në Ballkan, rrugët e vjetra u çakorduan fillimisht nga copëzimi i gadishullit në shtete kombe. Barinj që udhëtonin nga veriu i Maqedonisë për në Thesali të Greqisë, u duhej të përshtateshin me ngastra të gardhuara etnike. Tani, jeta e organizuar rreth pjelljeve në ngastrat e dimërimit (hivernage) prej janarit, qethjeve në shkurt, dhe përdorimit të kullotave në ultësira në pranverë janë bërë kujtime të largëta. Apo festa e nisjes dhe marrja e rrugës për në mal pas ditës së Shën Gjergjit në të hyrë të majit. Përgatitja e dhenve për kthim mbas ditës së Shën Dhimitrit në fund të tetorit.
Por një grup nënetnik shqiptar, çamërit myslimanë si Fadili dhe Çimi, janë të vetmit që bëjnë shtegtimet në këmbë prej krahinës së tyre në qytezën e Konispolit në kufi me Greqinë. Me rënien e komunizmit, ata u zunë vendin vllehëve, një etnie që flet një gjuhë të familjes latine, e cila është marrë prej shekujsh me pastoralizëm por e braktisi për të emigruar në Greqi viteve 90. Dhe barinjtë shqiptarë e bëjnë rrugën në këmbë për të mbajtur të ulura kostot e biznesit.
Rikthimi, si një aktivitet i romantizuar dhe ekzotik
Në Evropën e pasur ka një rikthim në mënyrat e vjetra, në shtegëtimet në këmbë, si një aktivitet i romantizuar dhe ekzotik. Madridi organizon ditën e transhumancës çdo të djelë të fundit të tetorit që prej 1994-ës, ku lejon dhjetra mijëra dhen të kalojnë në qytet për të vënë në dukje shtegëtimet që prej malësive të Riohas (Rioja) për në Andaluzi dhe Estremadura. Në Itali të jugut, dhomat e tregëtisë propozojnë itinerare ecjesh (randonées) nëpër tratturi, rrugët e shtegëtimeve të dikurshme.
Tani, Infotravel, një grup në Tiranë, po përpiqet të dokumentojë dhe të bëjë të njëjtën gjë me itineraret e transhumancës në vend, në mënyrë që duke nxitur interesin e itinerarit nga vizitorë të interesuar, të japë dhe ndihmë në qëndrueshmërinë e fenomenit.
Transhumanca në rrezik, edhe në Shqipëri
“Transhumanca këtu po kërcënohet nga presioni i bujqësisë dhe turizmi masiv,” thotë Viola Aliaj, e cila është pedagoge e turizmit në Universitetin e Durrësit. “Pakkush përpiqet të shohë se me ruajtjen e saj ruhet dhe një mënyrë eksplorimi i vendit që e bën përjetimin e vendit më gjenuin dhe mban traditën gjallë.”
Sivjet, për t’u bërë gati për shtegëtim, Fadili uli numrin e dhenve. Një pjesë e kullotave dimërore në Konispol po tjetërsoheshin në plantacione mandarinash. “Por këtë punë di të bëj,” thotë. “Vetëm me këtë di të jetoj.”
Për më shumë informacion mbi shëtitje të organizuara mbi itineraret e transhumancës në Shqipëri kontaktoni Viola Aliajn e Infotravel në adresën elektronike [email protected].
Presion nga bujqësia dhe turizmi masiv
“Transhumanca këtu po kërcënohet nga presioni i bujqësisë dhe turizmi masiv,” thotë Viola Aliaj, e cila është pedagoge e turizmit në Universitetin e Durrësit. “Pakkush përpiqet të shohë se me ruajtjen e saj ruhet dhe një mënyrë eksplorimi i vendit që e bën përjetimin e vendit më gjenuin dhe mban traditën gjallë.”
E-Diaspora
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në Aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe Blin Hoxha nga Prishtina është piloti shqiptar i cili së fundmi shihet në një video ku...
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
-
Në kërkim për trafik droge, arrestohet në Spanjë 32-vjeçari shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre