Futboll

Taulanti thotë se do ta kenë shumë vështirë ndaj Manchester Cityt

“Kam folur me Granitin. Ai ka luajtur kundër tyre në Premier Ligë dhe më informoi se do të jetë tepër e vështirë, pasi ata lëvizin shumë. Më tha se duhet të besoj dhe të luaj fort, sepse në futboll nuk i dihet kurrë”, theksoi ndër të tjera Xhaka

Sonte do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Baselit dhe Manchester Cityt, për 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Taulant Xhaka ka pranuar se Manchester City është një prej ekipeve më të mira në botë për momentin.

Në një intervistë për “UEFA.com”, ai ka treguar se si me Granitin filluan në klubin e Baselit. “Së bashku me vëllain tim kam luajtur që prej skuadrave të moshës U-12 deri në U-21. Pastaj erdhi thirrja në skuadrën e parë gjithashtu me të, e cila ishte një ëndërr e bërë realitet për mua dhe jam shumë krenar”, është shprehur Xhaka, përcjell albinfo.ch.

Ai është shumë i lidhur me Granitin. “E kemi këshilluar gjithnjë njëri-tjetrin dhe nëse diçka nuk shkonte, ai ma thoshte direkt dhe anasjelltas. Mendoj se kjo na ka lidhur shumë”.

Sot, nga ora 20:45 Baseli e pret Cityn. “Mendoj se Manchester City është aktualisht skuadra më e mirë në botë. Janë kompaktë, të shpejtë në sulm dhe çdo lojtar i tyre mund ta vendosë i vetëm ndeshjen, si për shembull De Bryne apo Aguero. Kështu që nuk mund t’u lejojmë shumë hapësira. Duhet të jemi me të vërtetë kompaktë dhe të përpiqemi t’i ngacmojmë”. Ai për këtë ndeshje ka folur edhe vëllain e tij, i cili luan në Arsenal. “Kam folur me Granitin. Ai ka luajtur kundër tyre në Premier Ligë dhe më informoi se do të jetë tepër e vështirë, pasi ata lëvizin shumë. Më tha se duhet të besoj dhe të luaj fort, sepse në futboll nuk i dihet kurrë”, theksoi ndër të tjera Xhaka.