CH-Ballkani

“Tarifat shqiptare” të sigurimit: Diskriminim apo trajtim korrekt?

Shqiptarët paguajnë më shumë se të tjerët për sigurimin e automjeteve. A është ky diskriminim, siç e konsiderojnë shumë ekspertë dhe organizata të konsumatorëve, apo pasqyrë e realitetit, siç e quajnë kompanitë siguruese?

Të huajt që jetojnë në Zvicër dhe sigurojnë makinat e tyre këtu, paguajnë dukshëm më tepër se zviceranët. Ndërsa në mesin e të huajve, janë shqiptarët ata që ngarkohen më së shumti. Grafikonët e publikuar kohë pas kohe në mediat zvicerane tregojnë për një dallim drastik të tarifave që paguajnë shqiptarët në krahasim me zviceranët. Varësisht nga kompania siguruese, nga automjeti që sigurojnë, por edhe nga sondazhi i bërë, shqiptarët rezultojnë diku 60%, diku 95%, e diku 2.2 fish më të dëmtuar me rastin e sigurimit të një makine në kushte të njëjta me zviceranët.

Tani, a është ky diskriminim, siç e konsiderojnë mjaft ekspertë dhe organizata për mbrojtje të konsumatorit, apo pasqyrë e realitetit në terren, siç duan ta identifikojnë kompanitë siguruese?

Për të qenë sa më afër një përgjigjeje reale lidhur me këtë çështje, albinfo.ch ka realizuar një hulumtim të gjerë e të shumanshëm të temës. Janë marrë qëndrimet e palëve relevante në këtë kontekst, si: Federata e Kompanive të Sigurimit të Zvicrës SVA nga njëra anë dhe Fondacioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, në anën tjetër, ekspertë të fushës së sigurimeve, zviceranë e shqiptarë dhe kompani sigurimi të veçanta zvicerane ose të drejtuara nga shqiptarë të Zvicrës. Ky synim ambicioz është kurorëzuar me dosjen mjaft voluminoze që magazina juaj albinfo.ch jua shpalos në numrin që keni në dorë.

Sigurisht, pretendimi për të vërtetën absolute, si në çdo përpjekje, do të mbetet i papërmbushur edhe në rastin tonë. Por, ajo që është arritur këtu, është përfshirja në një vend e të gjitha pikëpamjeve, shpesh kundërthënëse, lidhur me temën e rrahur. Lexuesi, pos që informohet në hollësi rreth një problemi që e preokupon (dhe që ia prek xhepin), nga dosja jonë mund të nxjerrë një përfundim se cila është rruga më e mirë që duhet ta ndjekë ai me rastin e sigurimit të makinës.

Dosje mbi diskriminimin në sigurimin e makinave

Por, të shkojmë me radhë: një studim relevant i bërë në vitin 2011 kishte konstatuar se drejtuesit shqiptarë (kryesisht kosovarë) të makinave në Zvicër kanë shkaktuar 2.1 herë më shumë aksidente se ata zviceranë. Sigurisht, edhe komunitete të tjera të huaja janë të përfaqesuara “mirë” në këtë listë jo aq të lavdishme. Të përmendim këtu turqit, me 1.9 herë dhe italianët me 1.2 herë mbi mesataren e zviceranëve.

Dëshmitë si këto merren si atu e përgjigjes që japin sigurimet kur përballen me pyetjen rreth tarifave “speciale” të premive që duhet të paguajnë të huajt. Edhe pa hyrë në çështjen parimore, nëse një trajtim i tillë është diskriminues – në Gjermani dhe në Austri, për shembull, ai është shpallur i kundërligjshëm – është një pyetje më praktike që bëhet në këto raste: çfarë ndodhë në momentin kur i huaji bëhet shtetas zviceran? Në njërën nga kompanitë e sigurimit thonë se në një rast të tillë, drejtuesin e makinës, thjesht, e fusin në një kategori tjetër rrezikshmërie”. Kjo ndodh përkundër faktit se pajisja me pasaportë zvicerane zor se i ndryshon shprehitë e vozitjes…

Si e shpjegojnë këtë në Federatën e Sigurimeve të Zvicrës (SVV)

“Kompanitë e sigurimit) përpiqen që ta përkufizojnë sa më mirë që të jetë e mundur rrezikshmërinë që paraqet një drejtues makine. Për ta bërë këtë, ato përpilojnë “grupet e rrezikut”, që t`i përmbledhin së bashku rreziqet me tipare të ngjashme. Për shkaktimin e dëmeve, veç tjerash merren si relevante: gjinia, mosha, vendbanimi, nacionaliteti, tipi i automjetit, përvoja e ngasjes. Siguruesit kanë të drejtë t`i përdorin kriteret në fjalë për llogaritjen e premive, nëse ato janë të mbështetura statistikisht, kanë thënë për albinfo.ch në Federatën e Siguruesve të Zvicrës, (SVV).

Dhe si e shohin në Fondacionin për Mbrojtjen e Konsumatorit

Ndërkaq në mënyrë më të diferencuar këtë problematikë e shikojnë në Fondacionin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Drejtuesja ligjore e këtij fondacioni, ka thënë për albinfo.ch se “problematika e diskriminimit është e njohur edhe për ne. Shembulli i drejtuesve të makinave para së gjithash nga Ballkani, të cilët përgjithësisht paguajnë premi më të larta për sigurimin e makinave, është sigurisht tema më e njohur dhe më efektive për media. Në parim, nuk ka si të kundërshtohet fakti se shkaktimi i dëmit ka një ndikim në preminë që duhet të paguhet. Por ne jemi parimisht kundër ndarjes paushalle të riskut (për shembull sipas nacionalitetit) në llogaritjet e premive”. Sidoqoftë, kompanitë e sigurimit kanë një përgjigje që e mbyll debatin e mëtejmë: Nga viti 1996  është hequr tarifa unike për premitë e sigurimeve. Kështu, në Zvicër është në fuqi liria e vendosjes së tarifave ashtu siç e vlerësojnë vetë kompanitë.

Keystone

Allianz: Nuk është diskriminim, por llogaritje e rrezikut të shkaktuar

“Nacionaliteti, krahas tipit të makinës, moshës, gjinisë dhe vendbanimit të drejtuesit të makinës, është njëri ndër shumë tiparet e përdorura si kritere nga Allianz Suisse. Nga të dhënat ekzistuese dhe frekuenca e shkaktimit të dëmeve, formohen grupet e rrezikut. Shifrat statistikore tregojnë, për shembull, se drejtuesit e rinj të makinave shkaktojnë më shumë dëme se sa ata me përvojë. Kjo vlen pra, edhe për disa nacionalitete. Nisur nga kjo, është e mundur që për grupet e ndryshme të kombësive të mos llogariten premi të njëjta për sigurimin e mjetit motorik ose për sigurimin shtëpiak. Kjo praktikë nuk përbën diskriminim të të huajve, por është llogaritje e një premie në përputhje me rrezikun, llogaritje kjo që mbështetet në një numër të madh dëshmishë statistikore”, ka thënë për albinfo.ch Bernd de Wall, zëdhënës i Lartë i Alliance Suisse.

Tarifat “për shqiptarët” në Gjermani janë ndaluar, si diskriminuese

Heinrich Schradin, ekspert i sigurimeve në Universitetin e Këlnit: “Pasaporta nuk është shkak që dikush të ngasë makinën më keq se tjetri. Sepse, po të ishte kështu, mjeshtëria e tij e ngasjes do të përmirësohej sapo ai ta merrte pasaportën zvicerane. Për këtë arsye, një diskriminim i tillë është i papranueshëm. Në fakt, “shtesat për shqiptarët” në Gjermani ka kohë që janë hequr. Ato janë ndaluar duke u konsideruar si diskriminuese”.

 

(Ilustrimi: Handelszeitung)