Lajme

Talibanët hyjnë në Kabul, presidenti afgan largohet nga vendi

Largimin e presidentit Ghani e konfirmoi përmes një video-mesazhi Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit Kombëtar afgan për Pajtim

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani është larguar sot, më 15 gusht nga vendi dhe ka shkuar në Taxhikistan. Qeveria e tij u rrëzua, teksa militantët talibanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Talibanët raportohet se kanë marrë nën kontroll gjysmën e qarqeve të kryeqytetit dhe Pallatin presidencial, teksa misionet diplomatike po shpejtojnë që të evakuojnë personelin e tyre, shkruann Radio Evropa e Lirë.

Më 16 gusht, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një mbledhje urgjente lidhur me situatën në Afganistan.

Ndërkaq, largimin e presidentit Ghani e konfirmoi përmes një video-mesazhi Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit Kombëtar afgan për Pajtim.

“Ai u largua nga Afganistani në kohë të vështirë. Zoti e mbajt përgjegjës” Ai e quajti Ghanin “ish-presidenti” edhe pse Ghani nuk ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje.

Dy zyrtarë të Qeverisë së Taxhikistanit, thanë për Radion Evropa e Lirë se Ghani ka arritur në Dushanbe. Këto burime, që folën në kushte anonimiteti, thanë se Ghani po përgatitet që të fluturojë për në një shtet tjetër. Por, ende nuk dihet se për cilin shtet bëhet fjalë.

Përmes një postimi në Facebook, Ghani ka thënë se është larguar nga shteti për të shmangur “gjakderdhjen” dhe ka shtuar se talibanët kanë fituar përmes “shpatës dhe armëve”, por jo edhe “legjitimitetin e zemrave”.

Ndërkaq, Al-Jazeera ka shfaqur pamje nga Pallati presidencial, ku një grup i liderëve talibanë janë ulur në tavolinën e presidentit, të shoqëruar me luftëtarë të armatosur rëndë, teksa militantët kanë thënë se janë të kënaqur që Pallati ra në duart e tyre pa gjakderdhje.

Talibanët janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës, tendërsa më herët u tha se po mbaheshin bisedimet me zyrtarët e lartë afganë për transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

Por, është e paqartë se kur do të bëhet tranferimi i pushtetit dhe cilët persona nga radhët e talibanëve po negocionin. Në anën e qeverisë, negociatorët janë ish-presidenti Hamid Karzai, lider i paritisë Hizb-e-Islam dhe Abdullah, që është kundërshtar i Ghanit.

Karzai përmes një videoje të postuar online tha se ai vazhdon të qëndrojë në Kabul.

“Ne do të tentojmë ta zgjidhim çështjen e Afganistanit me udhëheqësinë e talibanëve në mënyrë paqësore”, tha ai.

Ambasada amerikane ka thënë se në aerportin e Kabulit, ku diplomatët, zyrtarët dhe afganët po strehohen, ka pasur të shtëna. SHBA-ja tha se aeroporti është mbyllur për fluturime komerciale, ndërsa evakuimet përmes avionëve ushtarakë po vazhdojnë.

“Situata e sigurisë në Kabul po ndryshon shumë shpejt, përfshirë në aeroport. Ka pasur raportime se ka pasur të shtëna, prandaj i këshillojmë qytetarët amerikanë që të strehohen”, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane.

Civilët kanë shprehur frikën se talibanët do të rivendosin rregullat e tyre të ashpra, ku do të eliminoheshin të drejtat e grave. Ata u janë drejtuar bankomatëve për të nxjerrë paratë e kursyera, ndërkaq diplomatët dhe personeli i ambasadave janë nisur drejt aerportit të qytetit.

Ndërkaq, helikopterët janë parë në qiellin e Kabulit teksa është evakuuar stafi i Ambasadës amerikane, ndërkaq është parë edhe tym në afërsi të ambasadës, pasi punonjësit kanë djegur dokumentet e rëndësishme. Edhe misionet e tjera diplomatike të vendeve perëndimore janë përgatitur që të evakuojnë njerëzit e tyre.

Ministri në detyrë i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakwal tha më 15 gusht përmes një video-mesazhi më 15 gusht se do të ketë transferim “paqësor” të pushtetit te një qeveri kalimtare.

Ghani u largua nga Afganistani, pavarësisht se më 14 gusht u zotua, gjatë një fjalimi televiziv, se nuk do të hiqte dorë nga “arritjet” e bëra në 20 vjetët e fundit, që prej pushimit të udhëhequr nga SHBA-ja, që çoi në rrëzimin nga pushteti të talibanëve, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së më herët gjatë ditës se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit. Ky zyrtar tha se qëllimi është që të ketë një transferim paqësor të pushtetit te militantët talibanë.

Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka konfirmuar për Radion Azadi se bisedimet po zhvillohen për marrjen e pushtetit në mënyrë paqësore, por ai nuk ka dhënë më shumë detaje.

Talibanët “nuk duan ta marrin me forcë Kabulin”
Talibanët thanë më 15 gusht se nuk dëshirojnë të hyjnë “me forcë në qytet dhe të luftojnë, por po negociojmë me palë të tjera për të hyrë në qytet në mënyrë paqësore”.

Por, më vonë, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujadid tha se kanë urdhëruar luftëtarët që të futen në qytet për të parandaluar plaçkitjet, pasi policia u largua nga pikat ku po bënin roje.
Në mbrëmjen e 15 gushtit, ky zëdhënës tha se talibanët kanë nën kontroll 11 nga 22 qarqet e Kabulit.