Takimi
TAKIM-i, një frymë e re bashkëpunimi mes profesionistësh
Organizimi i suksesshëm dyditor me pjesëmarrës ndërkombëtar dhe vendor
“Shihemi shpesh, por rrallë takohemi“, u tha Vjosa Gërvalla, drejtoreshë e shoqatës albinfo.ch, pjesëmarrësve në takimin përmbyllës të aktivitetit që bëri bashkë kosovarët me aktorë të fushave të ndryshme profesionale nga Zvicra, Gjermania, Austria, Anglia dhe Suedia. Takimi rrjetëzues i mbrëmjes së 25 marsit, ku ndërmarrësit ndërkombëtarë takuan profesionistë kosovarë, i dha vulë aktivitetit dyditor, që u organizua për herë të parë në Prishtinë nga kjo shoqatë me seli në Zvicër.
Për dy ditë me radhë, ‘TAKIM’-i i ofroi audiencës kosovare debate me ekspertë, gazetarë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe atyre të të rinjve, të cilët me ekspertizën e tyre kontribuan për t’i dhënë përgjigje pyetjes: a ka perspektivë në Kosovë?
Pas realizimit të një faze të parë të dokumentarëve me temën “Storje suksesi”, që tregonin rrugëtimin e 12 sipërmarrësve nga diaspora që vendosën të investojnë në Kosovë, vazhdoi hapi i dytë me temën “Potencialet e Kosovës”. Kjo temë kishte të bëj me sfidat, por edhe sukseset e tetë kosovarëve, që u larguan – ose që iu desh të largoheshin – nga Zvicra, pas riatdhesimit të tyre në Kosovë.
Përmes këtij takimi, shoqata Albinfo.ch dëshiroi ta mbyllë këtë cikël me temen e fundit, duke e titulluar: “Guxo të ëndërrosh në Kosovë”. Këtu paraqiten katër të rinj dhe të reja, të cilët kanë arritur të përparojnë pa kërkuar kurrë të largohen nga vendi dhe kjo, kundër bindjes se suksesi mund të arrihet vetëm nëse largohesh nga vendlindja.
Në të njëjtën kohë, albinfo.ch përfitoi nga ky projekt për të zhvilluar një reflektim të përbashkët rreth arsyeve që shtyjnë të rinjtë të largohen nga Kosova. Kështu, publiku mori pjesë aktive në përcaktimin e koncepteve qendrore si përmes debateve dhe seminareve, duke bashkuar ekspertë të ndryshëm nga të gjitha anët, ashtu edhe përmes raporteve cilësore të realizuara nga televizionet vendore.
Shoqata albinfo.ch ndërmori, pra, krijimin e një eventi me një format të ri, TAKIM-i. Dy ditë me plot mundësi rrjetëzimi ndërkulturor, duke bashkuar profesionistë të talentuar vendas me sipërmarrës të huaj, qofshin apo jo nga diaspora, dhe për të lidhur partneritete të frytshme. Me këtë edicion të parë TAKIM-i dëshmoi se i përgjigjet një kërkese të dy palëve, sepse u mirëprit njëzëri dhe zgjoi interesim të përgjithshëm.
Me mbështetjen e Konferederatës Zvicerane, nën organizimin e shoqatës albinfo.ch, ky aktivitet solli në kryeqytetin kosovar edhe ekspertë e gazetarë zviceranë, të cilët ndanë përvojat e tyre me nikoqirët. Ata zbërthyen pikëpamjet e tyre mbi moton ‘Guxo të ëndërrosh në Kosovë’, duke i dhënë gjithë organizimit një vlerë të shtuar.
Kontributi i OJQ-ve të Kosovës në kohezionin social. Çfarë sfidash?
TAKIM-i filloi në mëngjesin e 24 marsit, me debatin për rolin dhe kontributin e Organizatave Joqeveritare në kanalizimin e rinisë kosovare. Kjo bisedë u nis nga parimi se shumë të rinj kanë bindjen se vetëm jashtë vendin mund të kenë perspektivë për ardhmëri. Në panelin e parë të mbajtur në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, debati u zhvillua në përbërje të drejtoreshës së organizatës “Artpolis”, Zana Hoxha, bashkëdrejtoreshës së organizatës “Germin”, Sihana Bejtullahu, përfaqësuesit të Zyrës kantonale për integrim dhe parandalim të racizmit, zyrë e bashkangjitur me Departamentin e Ekonomisë dhe Sportit, Migjen Kajtazi dhe Bulent Kaya, shef i projektit për Kryqin e Kuq zviceran.
Roli i gazetarëve në ngritjen e moralit apo pesimizmit të të rinjve në Kosovë
Biseda e dytë e ‘TAKIM’-it u zhvillua me gazetarë, të cilët shtjelluan rolin e mediave në insistimin për një shtet funksional për rininë kosovare. Diskutimi me temën “Roli i gazetarëve në ngritjen e moralit apo pesimizmin e të rinjve në Kosovë”, u zhvillua nga paneli në përbërje të Besa Lucit, kryeredaktore e Kosovo 2.0, Xhemajl Rexhës, gazetar në Kanal10, njëherësh edhe kryetar i Bordit në AGK dhe Serge Enderlin, shkrimtar e gazetar nga Zvicra.
Pjesëmarrja qytetare, sa mund të jetë levë e fuqishme për ndryshimin?
Dita e dytë e ‘TAKIM’-it nisi me debatin e ekspertëve, të cilët thanë se një demokraci e mirëfilltë është ajo që e punëson rininë. Kjo analiza u bë nga panelistët Dr. Nita Luci, antropologe, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe dhe Andreas Gross, politikan zviceran, të cilët diskutuan për atë se nëse të rinjtë e të rejat në Kosovë ndodhen në një kontekst që ua lejon atyre të ëndërrojnë, e mbi të gjitha që t’i kthejnë në realitet ëndërrat e tyre.
Ec e merre vesh a ka perspektivë në Kosovë !
Debati i tretë i ‘TAKIM’-it u takoi të rinjve dhe të rejave. “Ec e merre vesh a ka perspektivë në Kosovë”, ishte titulli i debatit me panelistët: Mentor Rexhepin, Drejtor Ekzekutiv në Venture UP – Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Universitetin e Prishtinës, Florentina Dushi, kandidate për doktoraturë në fushën e Sipërmarrjes dhe Inovacionit, dhe ligjëruese e Psikologjisë Organizative, Besnik Leka, sociolog dhe Rron Rama, 20-vjeçari që foli në emër të gjeneratës së tij.
Debatet e organizuara në kuadër të këtij aktiviteti morën vëmendjen e audiencës dhe medieve kosovare që e ndoqën nga afër ‘TAKIM’-in.
Kur 30 ndërmarrës nga Evropa takojnë 40 profesionistë nga Kosova
Suksesi i ‘TAKIM’-it të parë në Kosovë u finalizua me mbrëmjen rrjetëzuese, në të cilën 30 ndërmarrës evropianë shkëmbyen përvojat dhe idetë me më shumë se 50 profesionistë nga Kosova. Në mbrëmjen që u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e Zvicrës, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. Të gjithë partnerët e mirëpritën organizimin e kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar si të veçantë dhe shumë të rëndësishme mundësinë për të krijuar ura lidhjesh, takimesh e njohjesh të thella mes vendasve, diasporës dhe evropianëve nga shtetet e lartpërmendura.
Pas fjalimeve dhe shfaqjes së dokumentarit përmbledhës me katër personazhe inspiruese, të cilët kanë gjetur suksesin dhe perspektivën në Kosovë, ‘TAKIM’-i u bë nga afër. Njohja nën shoqërinë e muzikës dhe një gote verë, i hapi rrugë bashkëpunimeve të ardhshme.
E-Diaspora
-
Në Cyrih organizohet një ankand bamirësie për gratë e prekura nga kanceri i gjirit në Kosovë Në Ditën Botërore Kundër Kancerit organizohet Ankandi Bamirës i Artit, që do të mbahet më 4...
-
Dënohet kosovari, dërgues i pakove: Vidhte mallrat që duhej t’i dorëzonte
-
Ambasadori Ajeti: Për herë të parë, pesë kandidatë me prejardhje nga Kosova garojnë për zgjedhjet e landit të Hamburgut
-
Nyon: Mbrëmje festive për nder të Pavarësisë së Kosovës
-
Ambasada e Kosovës në Itali njofton mërgimtarët që dëshirojnë të votojnë
Jeta në Zvicër
-
Më pak regjistrime të reja për makina elektrike, por akoma shumë vetura në rrugë Kërkesa për automjete të reja, tërësisht elektrike ra në vitin 2024. Pesha e tregut të regjistrimeve...
-
IS donte të joshte 15-vjeçarin për të ndërtuar një bombë në Zvicër
-
Muzeu i Luvrit në Paris, zviceranët do të paguajnë më shumë
-
Si përfundoi Zvicra me sistemin e saj të detyrueshëm të sigurimit shëndetësor?
-
14 raste fruthi në gjashtë kantone – çfarë duhet të dini