Kosova

Tahiri: Vrasja në Gjakovë shqetësuese

Ngjarja që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Gjakovë, ku burri vrau gruan dhe vajzën ka bërë që krerët e institucioneve të shprehin shqetësime.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur shqetësimet e thella rreth ngjarjes së rëndë e cila ka ndodhur dje në Gjakovë, ku viktima të një vrasje janë një nënë dhe vajza e saj.

Lidhur me këtë ngjarje, Ministri Tahiri vlerëson se papërgjegjësia, neglizhenca dhe mos zbatimi i detyrave nuk ka vend në asnjë institucion, veçmas atyre që kanë pёr mandat ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë  së jetës, pronës dhe të drejtave themelore të qytetarëve, dhe se çdo papërgjegjësi e tillë duhet të trajtohet seriozisht dhe të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

“Nuk është e drejtë të gjykohet puna e palodhshme e Policisë së Kosovës në tërësi, por çdo rrethanë dhe çdo person zyrtar në rast injorimi të rrezikut të paralajmëruar duhet të mbahet përgjegjës. Policia e Kosovës ka nevojë për një hartë të parandalimit të krimit dhe një plan për të ditur saktësisht se sa kohë efektive i duhet për të qenë në vend të ngjarjes, kudo që shfaqet rreziku dhe kanosja ndaj jetës së qytetarëve të Kosovës kudo qofshin ata” ka shtuar Ministri Tahiri.

Ministri Tahiri thekson se në Republikën e Kosovës, papërgjegjësia në sektorin e sundimit të rendit dhe ligjit nuk do të ketë vend dhe njëherit i bënë thirrje të gjitha institucioneve që të reflektojnë në këtë drejtim, mandati dhe legjitimiteti i të cilave buron nga aftësia për të mbrojtur jetën, pronën dhe të drejtat themelore të qytetarëve, shkruan Albinfo.ch.

“Ministria e Drejtësisë shpreh angazhimin e plotë për bashkëpunim me të gjitha institucionet me qëllim të përmbushjes kuptimplotë të mandatit që ka sundimi i rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.