Kosova

Tahiri i quan spekulime raportimet për dorëheqjen e tij

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ka quajtur spekulime raportimet lidhur me arsyet e dorëheqjes së tij. Tahirit një përgjigje për këtë çështje ia ka kërkuar anëtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke e lidhur atë me ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë. Kritika ndaj ministrit Tahiri ka pasur edhe deputetja e Vetëvendosjes, njëherësh kryetare e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu. Për më tepër, Haxhiu ka akuzuar ministrin Tahiri se Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial i ka shndërruar në vegla të ministrisë dhe se e ka përjashtuar Komisionin që ajo e udhëheq, atë për legjislacion dhe në përgjithësi Kuvendin nga diskutimet që lidhen me legjislacionin që prek drejtësinë.

Temë e tryezës ka qenë “Rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë”, për çka ministri Tahiri tha se janë në fund të fazës së parë, nga tri sa parashihen. Gjithashtu një çështje që është ngritur ka qenë edhe procesi i ‘Vettingut’, për çka Tahiri tha se preferon forcimin e mekanizmave për verifikim brenda institucioneve, para modelit të Shqipërisë.