E-Diaspora
Tages Anzeiger i quan salafistë imamët shqiptarë të Zvicrës
Gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” ka botuar një artikull të gjerë dhe mjaft kritik lidhur me imamët e xhamive të shqiptarëve në Zvicër. Tehu kritik i gazetës është drejtuar në veçanti drejt Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ)
“Platformë për imamët salafistë” mban titullin artikulli i gazetës Tages Anzeiger, i cili vë në fokus imamët që kanë bërë studimet e tyre në Arabinë Saudite dhe të cilët ftojnë me dëshirë predikues radikalë për të ligjëruar para besimtarëve të xhamive që drejtojnë, transmeton albinfo.ch. Imami Bashkim Aliu në xhaminë e Wetzikonit, Ferit Zekiri në atë të Regensdorfit dhe Nebi Rexhepi në Altstetten (komuna këto në Kantonin e Cyrihut) si dhe kryetari i unionit të përmendur, Nehat Ismaili janë objekt i kritikave të gazetës së përmendur. Ndaj tyre drejton kritika edhe kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës, imami Mustafë Memeti.
“Imamët shqiptarë me mjekra në Zvicër po kultivojnë një islam viril (mashkullor). Me gjeste përbetuese dhe me ton serioz e luftarak, ata bëjnë thirrje për xhihadin e madh, luftën morale kundër mëkateve. Predikuesit tërheqin vërejtjen ndaj shejtanit dhe zjarrit të ferrit. Ose glorifikojnë martirizimin politik. Kështu imami Bashkim Aliu nga Wetzikoni në një referat mbi patriotizmin: Kush vdes për atdheun është martir, sikur heronjtë e UÇK-së të cilët kanë dhënë jetën për Kosovën. Në seminarin e tij të fundit mbi terrorizmin në xhaminë e Wetzikonit, ai vet dhe imami Ferit Zekiri kanë paraqitur islamin si viktimë. Sipas tyre, pas rasteve të sulmeve terroriste të bëra nga disa veta, gjithmonë akuzohet i tërë islami dhe sipas tij fjala “terror islamik” është e pakuptimtë, shkruan Tages Anzeiger .
E përbashkëta e imamëve radikalë, studimet e kryera në Arabinë Saudite
Më tutje në artikull të Tages Anzeiger thuhet se të dy këta imamë që vijnë nga Maqedonia kanë studiuar së bashku në universitetin e Medinës në Arabinë Saudite, një nga vatrat e islamit shtetëror vahabit.
Ata së bashku me Nebi Rexhepin bëjnë pjesë në rrethin e atyre imamëve të cilët organizojnë në Zvicër seminare me kolegët e tyre salafistë nga Maqedonia e Kosova, përcjell albinfo.ch. Ndërsa Rexhepi, i cili po ashtu ka studiuar në Arabinë Saudite, është i njohur për faktin se është pronar i një agjencie udhëtimesh e cila organizon haxhillëkun në Arabi të besimtarëve nga Zvicra.
Një imam tjetër i cili po ashtu është vënë në thumb të këtij artikulli të Gazetës Tages Anzeiger është Omer Berisha nga Shkupi, i cili shërben në xhaminë e Linzit, në Austri. E veçanta e tij, thotë gazeta, është se ai drejton një portal interneti në gjuhën gjermane. Kjo e dallon atë nga kolegët e tij në Zvicër të cilët udhëheqin portale ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Por ky kualitet nuk e mbron Berishën nga kritikat. Në portalin e tij shkruan se çfarë dëshiron islami salafist nga Evropa: lejen për thirrje publike të ezanit, lutjet pesë herë në ditë në shkolla, për festat myslimane të pranuara me ligj dhe për konversionin në islam.
Ndërsa duke folur për financimin e islamit në Ballkan nga Arabia Saudite në artikull përflitet edhe gazeta “New York Times” e cila javën e kaluar pati shkruar për Kosovën si truall i plleshëm për islamin ekstrem. Vetëm në dy vitet e fundit nga Kosova kanë shkuar në luftën në Siri dhe Irak 314 njerëz.
Përpjekjet e mjekrave të zeza për mundjen e islamit të moderuar tradicional
“Fundamentalistët me mjekra të zeza përpiqen që në Ballkan të ndryshojnë islamin butrimor të moderuar në doktrinë vahabiste dhe kjo tendencë po drejtohet edhe kundër islamit të moderuar të shqiptarëve në Zvicër, transmeton albinfo.ch gazetën Tages Anzeiger.
Me diasporën e madhe prej rreth 200 mijë shqiptarëve myslimanë Zvicra po bëhet atraktive për salafistët. Sipas gazetës Tages Anzeiger, janë rreth 30 predikues salafistë nga Kosova dhe Maqedonia që figurojnë në listat e imamëve radikalë të cilët kanë predikuar në ndonjërën nga xhamitë shqiptare të këtushme.
Dhe pikërisht drejtuesit e këtyre xhamive kanë themeluar në vitin 2012 Unionin e Imamëve Shqiptarë të Zvicrës gjoja për t`u dhënë një zë myslimanëve të moderuar dhe për t`iu kundërvënë fanatizmit religjioz. Kryetari i unionit, imami Nehat Ismaili nuk i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga gazetari. Ai, sipas Tages anzeiger bën përkthime dhe recensione të librave të islamistëve të njohur si Muhammad Mursi e Yusuf Qaradawi, ideologë shumë të kontestuar të “vëllezërve myslimanë”. Ismaili madje ka iniciuar një komision për Fatwa, i cili do t`i udhëhiqte imamët e këtij unioni në dhënien e këshillave juridike fetare.
Mustafë Mehmeti: “Unioni është ndarë (nga Bashkësia Islame) si një degë ultrakonservative”
Lidhur me të gjitha këto anomali, nuk ka se si të jetë i kënaqur imami shqiptar Mustafë Mhmeti, kryetar i bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës, të njohur si zyrtare e cila me 30 shoqatat e saj përfaqëson një islam të hapur e liberal, shkruan Tages Anzeiger në vazhdim.
Mehmeti për Gazetën zvicerane thotë se Unioni është ndarë (nga Bashkësia Islame) si një degë ultrakonservative. Ai thotë se UISHZ nuk është bashkësi zyrtare por “një klan i ndikuar shumë nga Arabia. Imamët e Unionit janë shkolluar në Arabinë Saudte, Jordani ose Egjipt”. Ata, gjithnjë sipas Mhemetit, përfaqësojnë një islam politik me orientim salafist, të lidhur me qarqe ekstremiste dhe të biznesit në Maqedoni.
Por Bekim Alimi, deri vonë nënkryetar i Unionit e kundërshton këtë. Ai thotë se në asnjë mënyrë nuk mund të jenë konsrvativë 35 imamët e kësaj organizate. Pastaj Alimi shton se Unioni nuk është ndarë nga bashkësia që udhëheq Mehmeti vetëm për shkaqe teologjike por edhe për shkaqe strukturale.
Nuk marrim financime nga Arabia
Imami Aliu nga Wetzikoni siguron se xhamitë dhe imamët e këtushëm nuk marrin kurrfarë financimesh nga Arabia Saudite. Ndërsa kryetari Ismaili citohet nga Tagesanzeiger.ch të ketë thënë për albinfo.ch se “UISHZ synon që përmes arsimimit të fuqizuar të imamëve, tu kundërvihet rasteve të izoluara të ekstremiizmit. Dhe për ta arritur këtë, sipas tij ftojnë për të ligjëruar profesorë të shquar nga vendet e prejardhjes. Ndërkohë, vëren Tages Anzeiger, “në xhaminë e Ismailit në Aarburg hyjnë e dalin myslimanë ultrakonservativë. Ndër ta ka qenë edhe politikani islamist nga Kosova, Gëzim Kelmendi, pastaj predikues të njohur për radikalizëm si Bekir Halimi nga Maqedonia i cili ka motivuar të rinjtë shqiptarë të shkojnë në luftë në Siri dhe Irak etj.
Disa herë Ismaili ka sjellë në Zvicër edhe salafistin më të kontestuar kosovar Shefqet Krasniqin, i cili në vitin 2014 ishte arrestuar në Kosovë për rrezikim të rendit kushtetues. Ai dhe imami tjetër i arrestuar atëbotë me të, Mazllam Mazllami kanë qenë të ftuar edhe në një seminar të organizuar nga xhamia në Regensdorf gjegjësisht imami i sa,Ferit Zekiri.
Ndërsa imami nga Wil-i,. Bekim Alimi, i cili në emrin e besimtarëve myslimanë të Zvicrës ditë më parë mori pjesë në bekimin e tunelit të Gothardit, pyetet nga Tages Anzeiger edhe për financimin e ndërtimit të xhamisë së re në Wil, e cila thuhet se do të kushtojë 5 milionë franga.
Ai kundërshton çfarëdo financimi nga vendet arabe dhe këmbëngul se ndërtimin e kësaj xhamie e financojnë besimtarët që e frekuentojnë.
Në përmbyllje, Tages Anzeiger i jep fjalën edhe ekspertes së islamit Saida Keller-Messahli.
Saida Keller-Messahli pyet se përse Unioni mban në Zvicër 50 xhami kur dihet se vetëm 10 për qind të myslimanëve vizitojnë xhamitë. Jo thotë ai po ashtu se nga fakti se në këto xhami flitet vetëm shqip, vizitorët e tyre besojnë se i takojnë një bote paralele, të pa vëzhguar nga bota.
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për partneritet të fuqishëm Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në forumin Ekonomik Zvicër-Kosovë 2024, ku ishte i ftuar...
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur