Opinione
Ta thyejmë heshtjen!
Mua më kanë përdhunuar. Me fjalë. Shumë herë. Pothuajse secilën herë që eci vetëm rrugëve të Prishtinës. Mjafton të jesh grua dhe të objektifikojnë. Dhe përnjëherë kalimthi, herë me zë pëshpëritës e herë me zë të lartë në drejtimin tënd të godasin, të sulmojnë me fjalë, me shprehjet më të ndyra, fantazitë më fetishiste që nuk mundesh dot as t’i imagjinosh. Shpeshherë mundohen të të afrohen sa më shumë që idetë se çfarë do të bënin me trupin tënd t’i pëshpëritin në vesh. Të tjerët i bien borisë së veturës, hapin dritaret dhe e përshtatin shpejtësinë që të mund t’i përcjellin hapat e tu. Ndihesh e pambrojtur. Ta cenojnë integritetin dhe sigurinë tënde. Të shkaktojnë neveri dhe frikë.
Po çfarë ndodh kur ngacmuesve u rritet vetëbesimit dhe fjalët i kthejnë në vepra? Kur të përcjellin, kur tentojnë të të mbështesin për muri, të të prekin, të të shtyjnë përtokë me dhunë. Çfarë ndodh atëherë kur ngacmimi seksual kalon në sulm seksual? Sa herë ke përshpejtuar hapat e tu dhe zemra të ka rrahur deri në fyt, sepse dikush të ka ndjekur?
E nëse ndodh që dikush të sulmon, të prekë pa pëlqimin tënd dhe ti arrin të ikësh nga ajo situatë, a e sheh veten tu’ u mendu se ku ke gabu? A i ke dhanë sulmuesit një sinjal që është keqkuptu? A mos je veshë në mënyrë provokative? A mos e bart një pjesë të fajit edhe ti? PSE ti si viktimë qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme duhesh me e kërku fajin te ti?
Nuk ka rëndësi nëse ke veshë fund apo pantallona, nëse i ke 17 apo 35 vjet, nuk ka rëndësi nëse i ke flokët e gjata apo të shkurtra, nëse ke vënë buzëkuq apo jo. TI asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ke faj!
Të menduarit në këtë mënyrë ta ka imponu shoqëria. Gjatë gjithë adoleshencës dhe përtej ke dëgjuar fjali si „Kur të vishesh me taka të larta e me fund të shkurtër, vetë e ke lypë“ „Për çka do që të ndodhë pas orës 22 faji është i yti!“ „Nuk ke pse ecë natën vetëm“ “Nëse i jep dikujt shkas me mendu që mundet me të ngucë ose me kërku ma shumë prej teje – faji është te ti, e jo te ai.”
Zana është sulmuar në hyrjen e banesës së saj. Sulmuesi e ka shty përtokë nga mbrapa, duke ia pamundësuar çdo lëvizje, duke e prekur në pjesët intime me dhunë, kundër dëshirës saj. Zadna nuk e ka parë sulmuesin, pra as që do të mund ta përshkruante atë. E ç’t’i thoshte policisë? Ajo ka vendosur të heshtë për rastin.
Edona ka qenë vetëm në veturë me kolegun e saj, kur ai e ka mbyllë veturën nga brenda dhe ka filluar ta prekë atë kundër dëshirës saj. Edona është e martuar. Si ta denonconte ajo kolegun në polici, kur të gjithë do ta drejtonin gishtin nga ajo? Po të shkonte në polici do e vinte në lojë martesën. Ajo ka vendosur të heshtë për rastin.
Kaltrina e ka humbur vendin e punës, sepse ka refuzuar ta kalojë natën me eprorin e saj sa ishin në një udhëtim zyrtar jashtë vendit. Eprori i Kaltrinës është figurë e njohur publike. Kush do i besonte Kaltrinës? Edhe Kaltrina vazhdon të heshtë.
Pse i heshtim rastet?
Nuk është vetëm qasja e mbrapshtë e shoqërisë që i arsyeton veprimet e djemve dhe të burrave dhe e largon përgjegjësinë nga ta, siç e përshkruanDita Dobranja në shkrimin e saj, por në rastet e përjetimit të sulmit seksual apo të përdhunimit është edhe frika nga damkosja që vjen prej shoqërisë dhe familjes. Frika nga viktimizimi i dyfishtë ua vështirëson grave që përjetojnë dhunë seksuale ta marrin guximin t’i raportojnë rastet në polici.
Në vitin 2015, në Policinë e Kosovës janë bërë 54 kallëzime penale për sulm seksual, ndërsa 37 kallëzime penale për dhunim (31 raste të dhunimit dhe 6 raste të mbetura në tentativë). Nëse konsiderojmë që sulmet seksuale dhe rastet e dhunimit mbesin të paraportuara, statistikat për rastet që denoncohen në polici nuk na japin as për së afërmi një pasqyrë të gjendjes reale.
Prandaj duhet të flasim më shumë për ngacmimet seksuale, për sulmet seksuale për rastet e dhunimeve, por edhe për keqpërdorimet e shumta seksuale që ndodhin nga persona që keqpërdorin pozitën, autoritetin apo profesionin e tyre.
Nëse filloni të flisni për këtë temë e t’i inkurajoni të tjerët që të flasin hapur me ju, do të habiteni sa raste kanë ndodhur në rrethin tuaj. Ta inkurajojmë njëri tjetrin që të mos heshtim.
Për ta tejkaluar mënyrën e të menduarit se “burrat duhet shfajësohen dhe viktimat të fajësohen”, duhet që ky diskutim të bëhet në radhë të parë me djem e me burra. Viktimizimi i dyfishtë dhe stigmatizimi i viktimave të luftohet nga të gjithë dhe në të gjitha nivelet. Nuk duhet që kjo të mbetet vetëm luftë e feministëve dhe aktivisteve.
Sa më shumë që të zërë vend kjo temë në diskursin publik, aq më shumë kurajë do u jepet viktimat që të raportojnë rastet e tyre në polici dhe t’i shkojnë procesit deri në fund. Duke e tematizuar dhunën seksuale ndaj grave në opinionin publik, do të ketë vetëdijesim që aktet seksuale pa pajtimin e personit tjetër paraqesin krim, e jo kompliment. Krim që duhet të denoncohet, të dënohet dhe të mos tolerohet në shoqërinë tonë.
Shkrim i botuar në sbunker
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce Pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?