Shkurt.ch

Swatch, qarkullim rekord mbi 6 miliardë franga

Me një ngritje prej 18.8% krahasuar me një vit më parë, Swatch ka realizuar gjatë vitit 2010 një qarkullim prej 6.44 miliardë frangash

 

Koncerni zviceran i prodhimit të orëve, Swatch, ka kaluar për herë të parë në historinë e tij shifrën mbi 6 miliardë franga të qarkullimit vjetor. Me një ngritje prej 18.8% krahasuar me një vit më parë, Swatch ka realizuar gjatë vitit 2010 një qarkullim prej 6.44 miliardë frangash.

Kjo, me gjithë faktin se, siç njoftojnë nga Swatch Group, frangu i forcuar e ka zvogëluar këtë bilanc për 164 milionë franga, shkruan swissinfo.ch.

Edhe fitimi i realizuar në vitin 2010 është më i madh se sa ai i vitit 2009. Ndonëse shifrat e sakta të fitimit do të publikohen vetëm në muajin shkurt, dihet që tash se  rritja, në shumicën e segmenteve ka qenë dyshifrore.

Sektori i orëve dhe i stolive, i cili ka dhe pjesën më të madhe në gjithë koncernin (5.53 miliardë) ka shënuar rritjen më të madhe, me 24.5%, sektori i prodhimit të sistemeve elektronike është rritur për 11.7% etj.