Lajme

SVP: Nuk ka ngrohje globale, e tëra është “politikë djallëzore e së majtës”

“Duhet t`i gëzohemi motit të bukur. Masat për mbrojtjen e ambientit janë kontraproduktive dhe djallëzore”, ka thënë kryetari i SVP-së, Rösti

SVP, Partia Popullore e Zvicrës, e njohur për populizmin dhe mbështetjen në vlerat konservative, ka shprehur edhe një herë mllefin kundër të majtës.

Në kuvendin e saj të mbajtur sot në Orbe të kantonit Vaud, SVP/UDC ka sulmuar në mënyrë masive partitë e majta, kryesisht SP-në, për, siç janë shprehur “politikën e papërgjegjshme të tyre që po e varfërojnë shtresën e mesme”, shkruan srf.ch.

Në fokus të punimeve të kuvendit të SVP-së ishte miratimi i një manifesti për “luftimin e lojës së papërgjegjshme me ambientalizmin dhe egalitarizmin e së majtës”, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, Partia Socialdemokrate dhe ajo e Gjelbër ua grabisin shtresës së mesme dhe familjeve me të ardhurave të ulëta disa mijëra franga në vit në emër të temave ekologjike, ka thënë veç tjerash kryetari i SVP-së, Albert Rösti.

Ajo që mediet zvicerane kanë nënvizuar në raportimet nga fjala e tij ka qenë relativizimi ose vënia në lojë nga ai i ndryshimeve klimatike, përcjell albinfo.ch. Ai citohet që para kuvendarëve të ketë thënë: “Duhet t`i gëzohemi motit të bukur. Masat për mbrojtjen e ambientit janë kontraproduktive dhe djallëzore”, ka thënë Rösti.