Kosova

Sveçla: Pritet njohja e patentë shoferëve nga Gjermania

Njohja e patentë shoferëve të Kosovës me Gjermaninë, pritet nënshkrimi në vjeshtë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pritet që në sezonin vjeshtor të nënshkruhet marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës nga ana e Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LVV-së, Driton Hyseni, tha se janë në negociata edhe me Italinë dhe me Turqinë për njohjen e patentë shoferëve.

“MPB ka shtyrë përpara negocimin dhe finalizimin e marrëveshjeve me tri shtete shumë mee rëndësi për mërgatën tonë, me Republikën Federale të Gjermanisë, me Republikën e Italisë dhe me Republikën e Turqisë. Me këtë rasat, dua të theksoj se me Gjermaninë të dy palët jemi dakorduar me draftin e marrëveshjes dhe MPB i ka përcjellë përmes kanaleve diplomatike marrëveshjen e cila pritet të nënshkruhet nga pala gjermane në sezonin vjeshtor”, tha ai.

Sveçla tha edhe se kërkesën për njohjen e patentë shoferëve e ka ngritur edhe në takime që ka mbajtur me homologët e tij, e që marrëveshja me Gjermaninë do të hapë rrugën edhe për shtetet e tjera.