Kosova

Suspendohen tre zyrtarë policorë, dyshohet se morën pjesë në tubim politik

Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar tre zyrtarë policorë, një kolonel, një major e një rreshter policor pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në tubim apo aktivitet të natyrës politike.

Policia tha se rekomandimi është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke shtuar se zyrtarët kanë rënë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe me udhëzimet e brendshme të këtij institucioni.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor)”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.