Feja

Sulmohet imami i moderuar shqiptar: Të dyshuar, islamistët ekstremë

"Hajnat" kanë shkatërruar maketin e xhamisë që do të vendoset në Qendrën e Religjioneve dhe kanë përshkllirë portretet e imamit, Mustafë Mehmeti

Hoxha Mustafë Mehmeti, imam në xhaminë shqiptare të Bernës dhe kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës, prej kohësh është dalluar me deklaratat dhe interpretimet e tij liberale të islamit të bëra për mediet zvicerane. Ai është distancuar disa herë në mënyrë të qartë nga islami radikal dhe nga IS-i.

Edhe albinfo.ch e ka pasur disa herë bashkëbisedues në lidhje me temat që kanë preokupuar gjatë këtyre viteve komunitetin shqiptar në Zvicër në raport me ushtrimin e fesë islame dhe me probleme tjera.

Javën e kaluar deri sa ai ndodhej në haxhillëk, në Mekë, xhamia e tij është sulmuar nga persona të paidentifikuar. Siç është parë më vonë, qëllim i sulmit nuk ka qenë vjedhja por dëmtimi i xhamisë dhe frikësimi i imamit të saj. Është shkatërruar një maket i xhamisë që e drejton Mustafa, e cila së shpejti do të vendoset në kuadrin e Qendrës së Religjioneve në Bernë, krahas objekteve të religjioneve tjera. Përveç kësaj “hajnat” kanë përshkëllirë gjegjësisht kanë kryqëzuar fotografitë me portrete të hoxhës. Po ashtu është vjedhur plani i xhamisë.

Duke konfirmuar për albinfo.ch ngjarjen në xhaminë që e drejton, imami Mustafë Mehmeti thotë se mjerisht në mesin e besimtarëve shqiptarë në Zvicër ashtu si dhe në vendet e prejardhjes është instaluar një rrymë e ekstremistëve. “Fajin për këtë e kanë kryesisht klerikët myslimanë, hoxhallarët, një pjesë e të cilëve kanë punuar me hipokrizi. Diçka kanë thënë në opinion dhe diçka tjetër para besimtarëve”. 

Siç beson thellësisht Mulla Mustafa, autorë të sulmit janë “myslimanët konservativë, të cilët nuk duan t`i pranojnë deklarimet e mia”. Ai thotë më tutje se atyre u pengon para së gjithash vendimi që xhamia të bartet në qendrën e religjioneve, ku, siç thotë M. Memeti “ne do ta praktikojmë fenë tonë pranë grupeve tjera si hindusët ose alevitët. Kjo ka shkaktuar prej një kohe më të gjatë konflikte me konservativët.

Ai thotë më tutje për 20minuten.ch dhe konfirmon edhe për albinfon se përpjekjet për ta frikësuar dhe për ta “heshtur” vijnë “nga një grup i vogël brenda komunitetit mysliman. Shumica e besimtarëve bëjnë përpjekje për t`u përshtatur dhe e praktikojnë religjionin e tyre në mënyrë të hapur. Por një grup i vogël dhe marrëzia e tyre shkatërrojnë shumëçka. Ata për mua janë njerëz agresivë, të frustruar që e përdorin religjionin për të ushtruar forcë”.

Ndërkaq, Mulla Memeti nuk e ka ndërmend të dorëzohet nga kërcënimet. “Ndoshta jam bërë paksa më i kujdesshëm por kjo nuk më ka shokuar, thotë ai dhe shton se sulmi në xhami e ka sensibilizuar. “Sytë tanë janë hapur sërish për ta parë problemin”.