Bota

Sulme tjera ajrore mbi Sirinë, dhjetëra të vrarë

Sipas mediave ndërkombëtare, cak i sulmeve kanë qenë forcat iraniane në Siri.

Televizioni sirian ka raportuar për sulme të reja mbi bazat ushtarake siriane dhe milicëve iranianë. Sipas mediave gjermane pas sulmeve qëndrojnë izraelitët, informon albinfo.ch.

Konkretisht është sulmuar brigada e 47 në perëndim të qytetit Hama si dhe baza ushtarake në aeroportin e Alepos. Sulmet janë kryer natën e së dielës, ku kanë mbetur të vrarë 40 persona, ndërsa 60 tjerë mbetën të plagosur. Mes të vrarëve llogariten edhe 18 iranianë.

Prej më pak se dy javësh ishte folur për një sulm të mundshëm kundër bazave ushtarake qeveritare në rrethinat e Damaskut. Vetë ushtarakët ndërkohë kishin thënë se një alarm fals kishte ndezur sistemin e tyre të mbrojtjes. Ndërsa më 14 prill më pas, territori sirian u godit nga një operacion ushtarak i përbashkët i SHBA-Francës dhe Britanisë së Madhe, si kundërpërgjigje ndaj regjimit pas sulmit me armë kimike në Ghouta.

Izraeli as nuk ka përgënjeshtruar as nuk ka pranuar autorësinë e sulmeve.