Bota

Sulme fizike kundër refugjatëve në Këln, disa të lënduar

Vetëm të dielën në qytetin e Këlnit kanë ndodhur dy sulme mbi refugjatët pakistanezë dhe sirianë

Sulmet me motiv seksual të bëra nga një numer refugjatësh të vendeve arabe në natën e Vitit të Ri në Këln kanë tensionuar edhe më raportet e vendësve me të huajt në Gjermani. Për pasojë, janë mbajtur një numër i madh protestash kundër «trajtimit seksist» të femrave nga kjo kategori refugjatësh.

Por, nuk ka përfunduar gjithçka me këto protesta. Mediet gjermane raportojnë edhe për sulme të shtuara të ekstremistëve të djathtë ndaj refugjatëve të pafajshëm, që bien viktimë e ksenofobisë tashmë të përhapur gjerësisht në shoqërinë gjermane.

Vetëm të dielën në qytetin e Këlnit kanë ndodhur dy sulme mbi refugjatët pakistanezë dhe sirianë, transmeton albinfo.ch. Siç bëjnë të ditur gazetat lokale, ata janë sulmuar nga grupe ekstremistësh dhe për pasojë ka pasur edhe të lënduar në mesin e refugjatëve.

Një grup prej rreth 20 vetash në mbrëmjen e të dielës ka sulmuar në afërsi të stacionit kresor të trenit gjashtë pakistanezë, njofton policia. Dy nga personat e sulmuar kanë pesuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim në spital.

Vetëm pak pas kësaj, pesë persona e kanë sulmuar dhe lënduar lehtë një refugjat sirian. Policia është duke zhvilluar hetimet. Ende nuk dihet nëse këto dy zhvillime kanë ndonjë lidhje mes vete.