MARKETING

Suksesi i stomatologëve mban “vulën” e Denta Tech dhe Agron Ajrulait

Janë me dhjetëra ordinanca të stomatologëve të njohur, suksesi i të cilëve mban vulën e punës së teknikut me përvojë 28 vjeçare, Agron Ajrulai

Përmes përkushtimit e seriozitetit në punë, shumë pacientë të trajtuar në klinikat që Denta Tech ka bashkëpunim, gëzojnë një buzëqeshje natyrale e me dhëmbë të bukur. Më shumë se 35 ordinanca marrin shërbime të rregullta të stomatologjisë për shumë vite me radhë nga tekniku me eksperiencë, Agron Ajrulai. Ai ka mbaruar shkollën e teknikut të stomatlogjisë në vitin 1996 në Zürich dhe llogaritet nga pionerët e parë shqiptarë që ka ofruar prej vitit 2007 shërbime te stomatoligjisë me laboratorin e tij, Denta Tech.

I pyetur për motivin që e ka shtyrë 17 vjet më parë për të hapur ordinancën Denta Tech, Ajrulai na thotë: Kur kam nisur shkollimin tim kam qenë nga të rrallët shqiptarë që kam takuar në këtë fushë. Tani ka në të gjitha anët. Mirëpo atëherë motivin kam gjetur tek vetvetja. Kisha punuar me disa teknikë të stomatologjisë dhe duke parë që kisha një dorë të lehtë e punimet e mija dilnin shumë të mira, vendosa të fillojë si i pavarur.

Por çfarë e dallon një teknik të stomatologjisë nga të tjerët për t‘u bërë i kërkuar nga mjekët e stomatologjisë, pyesim Agronin që kurrë nuk i është ndarë përkushtimit për profesionin.

„Mjekët shumë herë maten me punën e teknikut. Nëse kanë një teknik të mirë, është edhe mjeku i mirë, se puna jonë, sidomos aspekti estetik, shihet në fund. Për një bashkëpunim të shëndoshë e afatgjatë duhet të ketë një bashkëpunim sinkronizues mes mjekut dhe teknikut të stomatologjisë. Cilësia e punës së mjekut të stomatologjisë, matët me precizitetin e teknikut të dhëmbëve“, vlerëson Agroni.

Çfarë thotë stomatologu Gazmend Haliti për Denta Tech

Stomatologu i njohur, Gazmend Haliti me ordinancën e tij në St. Gallen, ka një vlerësim të jashtëzakonshme për teknikun Agron Ajrulai. “Denta Tech me Agronin janë më të mirët që kam takuar ndonjëherë në karrierën time 22 vjeçare. Agroni dhe ekipi i tij bëjnë punë cilësore, me saktësi maksimale e konform kërkesave të dentistëve dhe pritjeve të pacientit. Kjo e bën edhe punën time si stomatolog më të lehtë dhe ndihmon në imazhin tim. Përfituesi më i madh është pacienti i cili merr një trajtim të sukseshëm dhe afatgjatë. Me Agronin vazhdojmë të realizojmë, sidomos raste komplekse dhe sfiduese që shpesh herë nuk janë marrë përsipër nga të tjerët.“

Dy profesionistët, Gazmendi dhe Agroni, bashkëpunojnë prej vitesh dhe kanë një vazhdimësi e përkushtim ndaj profesionit, ku çdo kush që ka kaluar përmes tyre, ka nxjerrë më të mirën e mundshme për dhëmbë të shëndoshë e natyralë.

„Unë kam klientelë nga Aarau deri në St. Gallen. Me të gjithë kam mbi dhjetë vite që bashkëpunoj. Aktualisht kam 35 mjekë që i shërbejmë me protektikë e gjëra të tjera. Cilësia e punës në profesionin tonë është e lidhur ngushtë edhe me jetëgjatësinë e bashkëpunimit mes mjekut dhe teknikut, sepse kërkohet komunikim i rregullt e shkëmbim mendimesh e idesh deri në finalizimin apo  përfundimin me sukses të punës“, shpjegon Agroni me mirënjohje vlerësimin që i ka bërë Dr. Haliti.

Çka bëni ju ndryshe që jeni i preferuari i stomatologëve të kërkuar, pyesim teknikun. „Komunikimi dhe sjellja e saktësia e punës dhe respektimi i termineve. Logjistika tek ne organizohet mjaftë mirë. Unë mendoj që cilësia e punës në Zvicër duke marrë edhe shtetet fqinje, është më e larta në botë. Jo vetëm stomatologët kanë ndaj nesh kërkesa për profesionalizëm të punës. Të njëjtat kërkesa kemi edhe ne ndaj tyre dhe nuk lejojmë të dalë asnjë dhëmbë jashtë ordinancës sonë nëse nuk i plotëson kushtet qind për qind.

Mos i rregulloni dhëmbët gjatë sezonit të pushimeve në Kosovë se mjekët janë në presion të kohës

Në Kosovë dhe përgjithësi në Ballkan nuk i kushtohet kohë mjaftueshëm cilësisë së punës. Shpesh edhe me fajin e pacientëve që nuk u japin kohën e mjaftueshme mjekëve dhe teknikëve për të nxjerr më të mirën e mundshme. Ata që rregullojnë dhëmbët në Kosovë janë gjithnjë për ngut dhe duan që trajtimi i tyre të kryhet shpejt. Kjo vë në presion të kohës teknikët, të cilët nuk mund të absorbojnë tërë atë volum punë brenda tri katër javëve. Tekniku Ajrulai duke qenë se është i lidhur fort me prejardhjen e tij nga Kumanova dhe frekuenton në vazhdimësi Kosovën dhe Shqipërinë, njeh mirë këtë problematikë.

„Unë ju kisha sugjeruar të gjithë atyre që duan t`i rregullojnë dhëmbët në vendlindje, mos ta bëjnë në sezonin e pushimeve, se stomatologët dhe teknikët janë në presion të kohës e nuk e nxjerrin dot më të mirën për ju“, porosit tekniku Ajrulai.

„Dallimi qëndron në atë se në vendet ballkanike ndiqet trendi i rrjeteve sociale me njerëz që shfaqen me dhëmbë tejet të bardhë. Kurse ne në Zvicër kërkojmë natyralitetin e ngjyrave, pa u dalluar nga të tjerët. Ndonëse edhe këtu janë në rritje gjithnjë e më shume kërkesat me forma të dhëmbëve që shohin në rrjetet sociale, mirëpo ne u ikim sa më shumë që të mundemi kërkesave të tilla“, thotë tekniku Agroni.

„Kostoja në Kosovë është më e lirë. Megjithatë nëse llogaritni shpenzimet e rrugës, pushimi atje dhe komplikimet që mund të dalin nga rrugëtimet që nuk janë paraparë, i afrohen kostos së trajtimit të dhëmbëve në Zvicër“, shpjegon ai.

“Urat”, në Zvicër bëhen me dhëmbë të gërryer minimalisht. Kurse në Kosovë e vende ballkanike është e kundërta

Nuk është e vështirë të konstatohet se pjesa dërmuese e mërgimtarëve që i rregullojnë dhëmbët në Kosovë apo Maqedoni, kanë probleme me mishin e dhëmbëve që duket qartazi se kanë ndezje. Nga ekspertë të stomatologjisë ky është një lëshim që fillon nga mjeku, kalon te tekniku dhe mbyllet prapë te mjeku. Kjo pakujdesi fillon kur merret masa duke i gërryer dhëmbët deri në një masë të tepruar dhe vendosjen e urave apo dhëmbëve pa precizuar qind për qind masën.

„Kur mjeku dëshiron t‘ia lehtësojë vetes dhe teknikut punën, gërryen dhëmbët më tepër se që nevojitet. Kjo pastaj shkakton problemet që i vërejmë zakonisht tek ata persona që i trajtojnë dhëmbët në Kosovë apo shtetet fqinje, me mishin e dhëmbëve dhe formën jonatyrale. Stomatologët në Zvicër i gërryejmë dhëmbët shumë pak. Kjo mënyrë e punës kërkon shumë profesionalizëm e precizitet. Mirëpo problemet janë pastaj dukshëm më të vogla. Nëse e gërryen dhëmbin pak, atëherë nuk ke shumë hapësirë për të korrigjuar mënyrën estetike. Kjo të kufizon, por edhe të mobilizon për precizitet të lartë“, shpjegon tekniku Ajrulai.

I pyetur në këtë pikë se a jemi këtu duke biseduar për etikë apo normë pune, tekniku qeshet dhe e thotë troç: Etika është e para. Zviceranët thonë; ne e kemi një krenari profesionale dhe nuk mund ta shkelim atë në asnjë rrethanë. Ne këtu nuk tolerojmë punë me gabime. Nuk lejojmë asnjë dhëmb të dalë jashtë nëse ka edhe gabimin më të vogël në të“, përfundon drejtuesi i laboratorit Denta Tech.

Urë apo implantat?

Para se ta bëni një urë, bëjeni më mirë një implantat. Përmes urës ju dëmtoni dy e më tepër dhëmbë të shëndoshë që duhet gërryer për t`i bërë vend urës“, kjo është porosia e parë e teknikut të stomatologjisë në fillim të bisedës sonë për dallimin në cilësi në mes një ure dhe implantati.