Kosova

Suksesi i biznesit kosovar: AMW Interiors nga Kosova, në tregun zviceran

AMW Interiors është një histori suksesi që nisi si një biznes i vogël familjar në Drenas të Kosovës, e që arriti të futet në tregun zviceran me cilësinë e lartë të përpunimit të drurit për ambientet e brendshme. Kompania në fillimet e saj ishte e angazhuar vetëm në tregun kosovar, kurse më vonë arriti që të fitojë besimin e klientëve edhe jashtë vendit, duke filluar kështu eksportin në shtetin helvetik. Në një intervistë për albinfo.ch, Artan Morina, pronar i AMW Interior, ka treguar historinë e kompanisë, karakteristikat që e dallojnë nga konkurrentët dhe sfidat nëpër të cilat kanë kaluar në tregun ndërkombëtar.

AMW Interiors nisi si një biznes familjar në vitet e ´90-ta nga Sheqiri Morina, i cili veprimtarinë e tij në përpunimin e drurit e operonte në një dyqan të vogël në Drenas. Pas shumë vjetësh punë dhe përkushtim, kjo veprimtari në vitin 2016 u rrit në një fabrikë për përpunimin e drurit, në Parkun Industrial, në Drenas, në Kosovë. Kompania sot udhëhiqet nga Sheqiri Morina dhe djali i tij, Artan Morina.

Çka ofron AMW Interiors?

Produkte të personalizuara për klientët me material të cilësisë më të lartë, është ajo që e dallon AMW Interiors nga kompanitë e tjera të përpunimit të drurit. Ata sigurohen që detajet më të vogëla të punohen me përkushtimin më të madh, në mënyrë që klientët të jetësojnë ëndrrat dhe dëshirat e tyre për ambientet ku jetojnë.

“Prej fillimit të punës si kompani synimin kryesor e kemi pas që produkti final të jetë i cilësisë më të lartë të mundshme dhe i përpunuar deri në detajin e fundit, dhe si i tillë të ofrojë kënaqësi dhe përjetim te klienti. Porcesi i personalizimit të produkteve fillon nga kërkesa fillestare e klientit, e cila gjatë procesit evoluon, ku me një bashkëpunim me klientin arrihet deri te një dizajn unik, i cili i përmbush pritshmëritë e klientit. Më pas jepet konfirmimi që i paraprin procesit të prodhimit”, ka thënë Artan Morina.

Ai ka treguar rreth materialeve me të cilat punon ekipi i kompanisë për prodhimit e produkteve nga druri.

“Kompania kryesisht është e orientuar në produktet me kërkesa specifike si orientim kryesor janë dyert e ambienteve, pastaj kuzhinat, dhomat dhe produkte të ngjashme që lidhen me kërkesat e për interier. Nga natyra e punës, materiales bazë jane druri masiv, furniri dhe materiale të tjera të trajtuara me lyerje dhe përpunime të ndryshme specifike”, ka sqaruar tutje ai.

Depërtimi në tregun e Zvicrës, falë cilësisë së lartë të prodhimit

Qasja në tregun zviceran për AMW Interiors erdhi falë besimit të bashkatdhetarëve që i dhanë kësaj kompanie. Kjo i hapi dyert kompanisë që të futen në tregun ndërkombëtar dhe sot të kenë një diversitet të  klientelës, sa shqiptare, aq dhe zvicerane.

“Duke iu falënderuar besimit nga bashkatdhetarët, të cilët kanë parë produktet tona nga afër në Kosovë dhe referencave të tyre, kemi arritur të depërtojmë në këtë treg. Sfida të ndryshme kemi hasur gjatë operimit këtu, sepse nuk e kemi njohur tregun në fillim, dhe rrjedhimisht edhe mungesa e shpeshtë e materialeve dhe aksesorëve, të cilët janë të paktë në Kosovë”, ka sqaruar Artani.

Teksa flet për konsumatorët, ai thotë se numri më i madh momentalisht janë shqiptarët, por që kërkesat nga zviceranët sa vijnë dhe shtohen. Krejt kjo, falë punës së tyre të pandalshme për të ofruar shërbime me cilësi të lartë.

“Falë përkushtimit në punë dhe produkteve të mira, të cilat kanë arritur t´i përmbushin kërkesat e klientëve, kemi arritur të krijojmë një përshtypje të jashtëzakonshme, pavarësisht një doze skepticizmi në fillim, ku nuk pritej që një produkt nga Kosova të jetë i cilësisë së lartë. Tani, pjesa më e madhe momentalisht e konsumatorëve janë diaspora shqiptarë, mirëpo secilën ditë e më shumë kemi arritur të shtojmë besimin te klientët zviceranë”, ka shtuar tutje ai.

Kur flet për klientelën zvicerane, Artani ka treguar se çfarë kërkesa marrin ata më së shumti.

“Produktet më të eksportuara në Zvicër janë dyert e brendshme, pastaj kuzhinat, dhe më pas mobilje të ndryshmë, si dhoma, komodina etj. Produkti i preferuar i zviceranëve është kuzhina me kërkesa specifike, ku pikë e rëndësishme është trajtimi i detajeve të vogëla, që për ta kanë domethënie të madhe se si ata e perceptojnë një produkt. Shqiptarët, në anën tjetër, kanë kërkesa më univerzale, pa dallime specifike për kuzhinat, dyert, dollapet etj.”, ka thënë ai.

E ardhmja e AMW Interiors 

Synimi kryesor i kompanisë është që të ofrojë shërbim me cilësi sa më të lartë dhe të arrijë të kënaqë klientin me punën e tyre të punuar me përkushtim të lartë. Për të ardhmen, AMW Interiors ka për qëllim të rritet edhe më shumë në tregun ndërkombëtar, duke zhvilluar veprimtarinë e saj edhe në shtetet e tjera evropiane, si Gjermania.

“Synim i kompanisë në të ardhmen është rritja e vazhdueshme e cilësisë së produkteve, kapaciteteve prodhuese dhe, si rezultat i kësaj rritjeje, edhe eksporti në destinacionet kryesore si Zvicra e Gjermania”, ka thënë Artani.

AMW Interiors është një shembull i shkëlqyer i një biznesi familjar, që tregon se me punë të cilësisë së lartë dhe përkushtim ndaj klientit, arrihet drejt zhvillimit të kompanisë.