Lajme

Sukseset e shqiptarëve në Austri gjatë vitit 2022

Albinfo.at sjell për ju disa ngjarje të suksesit në fusha të ndryshme që shënuan shqiptarët gjatë vitit 2022 në Austri

Shkëlzen Doli nderohet me dekoratë nga presidenti austriak, Van der Bellen

Në muajin dhjetor, violinisti shqiptar me famë botërore, i cili jeton në Vjenë, Shkëlzen Doli, ishte i ftuar në Kancelarinë Presidenciale Hofburg të Vjenës, për t’u nderuar me titullin „Dekoratë nderi për merita në shërbim të Republikës së Austrisë“. Me këtë dekoratë, artistin Doli e nderoi vetë Presidenti austriak, Dr. Alexander Van der Bellen.

„Ndjehem i privilegjuar dhe shumë mirënjohës“, qe shprehur violinist Shkëlzen Doli, lajmin e të cilit për herë të parë e pati publikuar albinfo.at.

Shkëlzen Doli, bashkë me ansamblin “Philharmonic Ensamble” ka qenë aktiv gjatë tërë vitit me koncerte nëpër botë. Vlen të përmendet koncerti në Seul, ku artisti Doli ngriti në këmbë publikun korean.

Ndërkohë publiku shqiptar pati rastin të shijonte muzikën e tij në një koncert gjatë verës në Gjakovë si dhe në muajin dhjetor, në darkën gala, në jubileun e kompanisë „Prima Pflege GmbH“, në Zvicër, që drejtohet nga Merita Pinta.

Flaka Goranci mban „stafetën“ e sukseseve

Mezo-soprania Flaka Goranci vazhdon të mbajë “stafetën” e sukseseve. Madje ky vit ndoshta ishte edhe “vula” e sukseseve të saj. Projekti i saj ‘LA Femme’ bëri jehonë të madhe te publiku austriak dhe më gjerë.  ‘La Femme’ sjell jo vetëm muzikën e mrekullueshme të 21 kompozitoreve femra, por edhe përvojat e tyre të guximshme dhe historitë e tyre, të cilat lënë me gojë hapur. Si pjesë e projekt – CD-së „La Femme“ është publikuar edhe videoklipi i parë ”The Window”, që përshkruan situatën e femrave në Iran.

Suksesi i këtij projekti ishte shkas që Flaka Goranci të pushtonte mediat më të njohura austriake, të cilat shfaqën interes të dinë më shumë rreth këtij projekti, por edhe të njohin karrierën dhe sukseset e këngëtares Goranci.

Përveç kësaj, Flaka gjatë tërë vitit kishte angazhime artistike, ndër të cilat ishte edhe shfaqja operistike “Carmen” të cilën për të dytën  herë e solli në Langenthal të Zvicrës.

 

Panairi i Bizneseve Shqiptare në Austri mblodhi rreth 70 kompani shqiptare

Pas dy vjetësh pauzë për shkak të pandemisë, panairi i Bizneseve Shqiptare në Austri u rikthye furishëm në vitin 2022. Panairi që mbahet tradicionalisht në Vjenë, është një event i rrallë, ku bizneset shqiptare prezantohen së bashku para publikut në kryeqytetin austriak. Në këtë panair u prezantuan biznese shqiptare që veprojnë në Austri, duke filluar nga gastronomia, hoteleria, ndërtimtaria, mediat, it- design, imobile, estetika e të tjera.

Në këtë panair, me fjalë rasti të pranishmit i kanë përshëndetur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, ambasadorët e dy shteteve shqiptare në Austri, Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë, Lulzim Pllana, ambasador i Kosovës. Me atë rast, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, Yll Blakaj, ndër të tjera tha:

“Si rrjet po përpiqemi t`u hapim rrugë bizneseve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut që produktet shqiptare të depërtojnë sa më lehtë dhe më mirë në tregun evropian. Këtë jemi duke e bërë çdo ditë dhe tashmë produktet shqiptare mund t’i gjejmë kudo në tregun evropian”, ka thënë ai.

Vlerësohet se këtë panair atë ditë e vizituan mbi 1500 vizitorë, duke bërë kështu edhe eventin më të madh shqiptar në Austri. Si pjesë e panairit u shpërnda për vizitorët edhe libri / katalogu, ku u prezantuan firmat pjesëmarrëse të panairit. Pjesë e panairit ishte edhe platforma mediale e vetme shqiptare në Austri, albinfo.at.

 

Dy afaristë shqiptarë nga Austria nderohen me çmimin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”

 

E kur flasim për biznese dhe suksese të shqiptarëve në Austri, me çmime për humanizëm janë shpërblyer edhe dy biznesmenë shqiptarë nga Austria: Afaristi Argtim Hani dhe Ajet Tahiri.

Spektakli “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” është mbajtur në qershor, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup dhe ka mbledhur filantropë të shumtë shqiptarë. Në këtë spektakël u nderuan me çmimin “Nënë Tereza” personalitete të shquara nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe diaspora, të cilët kanë bërë vepra të mëdha humanitare, por pa “bërtitur” për bamirësinë e tyre.

Argtim Hani është nga Veleshta e Strugës, por prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ai është i njohur në Vjenë për sukseset e kompanive të tij në fushën e ndërtimtarisë,  e patundshmërisë (Immobilien), ndërsa biznese familjare ka edhe në Strugë të Maqedonisë së Veriut, njofton albinfo.at. Përveç kësaj, ai njihet për mbështetjen e shumë aktiviteteve shqiptare jo vetëm në Austri, por edhe të shumë kauzave me rëndësi kombëtare.

Ndërsa Ajet Tahiri është biznesmen dhe humanist nga Innsbrucku i Austrisë. Kompania e tij “AT Mobil GmbH” merret kryesisht me teknikën e komunikacionit mobil, pa lënë anash edhe segmentin e elektroteknikës.

 

Studiuesja Dr. Lumnije Kqiku shpërblehet me çmimin “Lidership by Example”

Sukseset e shqiptarëve nuk kanë munguar as në fushën e mjekësisë. Doktoresha dhe pedagogia universitare nga Kosova, e cila jeton në Graz, Lumnije Kqiku – Biblekaj, në tetor të vitit 2022 është nderuar me çmimin “Lidership by Example”. Këtë çmim dr. Lumnije e ka fituar në kuadër të “Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës” nga Departamenti Klinik për Stomatologji Konservative, Periodontologji dhe Stomatologji në Med Uni Graz. Çmimin e ka dorëzuar ish-ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Rifat Latifi.

Çmimi u jepet veçanërisht mjekëve te huaj që japin kontribut në vendin e tyre.

Dr. Lumnije Kqiku është specialiste e Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare dhe Docente në Universitetin e Grazit.

 

Bernardin Jakaj fiton titullin “IBO Continental” në Vjenë

Nga fusha e sportit këtë vit kemi veçuar suksesin e Bernardin Jakajt. Boksieri shqiptar që jeton në Vjenë, në nëntor kishte duelin më të rëndësishme në karrierën e tij profesioniste. Ai fitoi me pikë pas 10 rundeve ndaj boksierit holandez Nasser Bukenja. Me këtë rast, Jakaj fitoi titullin “IBO Continental” në peshën e rëndë.

Ndeshja e boksit u zhvilluan në Marien Erzendorf, 25 kilometra larg Vjenës, në një sallë të mbushur plot me shikues, e që kryesisht ishin shqiptarë.

Në këtë mbrëmje boksi u zhvilluan 14 ndeshje, në të cilën u paraqiten gjithsej nëntë boksierë shqiptarë.