Shkurt.ch

Stuhi në Zvicër, shkulen pemët dhe ndërpritet energjia

Një stuhi e rreptë ka shkulur disa pemë gjatë natës në kantonin e Schaffhausen-it. Energjia elektrike është ndërprerë në disa vende për një kohë të gjatë, ka bërë të ditur policia kantonale.

Askush nuk është plagosur, ka shtuar ajo. Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur gjithë rrethinën e kantonit. Pemët e shkulura dhe degët e shqyera kanë bërë që edhe qarkullimi  të çrregullohet.

Në kantonin e Bernës stuhia është shoqëruar me breshër në disa vende, por pa dëme të mëdha, tregoi nga ana e saj policia kantonale e Bernës.

Ndërsa në Jura të Bernës kulmi i një shtëpie është dëmtuar, kurse në HIndelbank ka pasur përmbytje për shkak të dëmeve të provokuara nga breshri. Edhe në Bolligen rrufeja ka goditur një pemë.

Sipas MeteoSwiss, rryma ajri të rrepta me stuhi dhe rrufe kanë kaluar nëpër Zvicër të shoqëruara me erë me një shpejtësi prej  60 deri në 90 km / orë.