Uncategorized

Stuhi dëbore në Itali, mbyllen shumë shkolla

Stuhia që ka goditur Italinë qendrore ka detyruar mbylljen e shkollave dhe ka shkaktuar vështirësi në transport në shumë qytete

Banorët e Romës u befasuan në mëngjesin e së hënës kur panë se qyteti i tyre ishte mbuluar nga bora. Atraksionet kryesore turistike të tilla si Koloseu u mbyllën për publikun, pasi autoritetet në kryeqytetin italian bënë përpjekje për t’i dalë ballë ngjarjes së pazakontë.

Stuhia që ka goditur Italinë qendrore ka detyruar mbylljen e shkollave dhe ka shkaktuar vështirësi në transport në shumë qytete. Shumë banorë vendosën që në punë të shkojnë në këmbë dhe jo të përballeshin me vonesa në transportin publik. Kjo ishte bora më e madhe që ka rënë në Romë në 6 vjet dhe më e madhja për fundin e shkurtit në disa dekada.

Ndërkohë, për herë të parë në 6 vjetët e fundit edhe Vatikani u mbulua nga bora. Disa priftërinj madje për një çast lanë lutjet dhe dolën në sheshin e Shën Pjetrit për t’u argëtuar.