Lajme

Studimi që vë në pah nëse bicikletat elektrike janë po aq të shëndetshme sa biçikletat klasike

Një studim i madh nga Gjermania hedh poshtë stereotipin se ngasësit e e-bicikletave janë dembelë. Duke analizuar mbi 58 mijë udhëtime për më shumë se tre vite, studiuesit zbuluan se e-bicikletat ofrojnë përfitime të ngjashme shëndetësore si biçikletat tradicionale, transmeton albinfo.ch.

Përdoruesit e e-bicikletave qëndrojnë mesatarisht 135 minuta në javë në sedilje – kohë kjo e mjaftueshme për të reduktuar rrezikun nga sëmundje si diabeti dhe tensioni i lartë deri në 40 për qind, sipas profesorit Uwe Tegtbur. Ai thekson se një shëtitje e moderuar me e-bike mund të jetë “po aq efektive sa medikamentet”.

Për më tepër, studimi tregon se këto mjete janë veçanërisht të përshtatshme për personat me probleme shëndetësore apo me peshë të lartë trupore, duke u ofruar një mënyrë të lehtë dhe të sigurt për të lëvizur.

Megjithatë, përdorimi në rritje i e-bicikletave ka sjellë edhe më shumë aksidente fatale, sidomos në mesin e përdoruesve më të moshuar. Ekspertët këshillojnë kujdes dhe përshtatje të ngadaltë me ritmin e e-bike.