Lajme

Studimi jep lajmin e shumëpritur: Zvicra e ka kaluar më të keqen!

Sipas një studimi nga Universiteti i Bernës, Zvicra ka arritur kulmin e krizës së koronavirusit. Megjithatë, të paktën edhe disa qindra njerëz ka mundësi të vdesin deri në përfundim të epidemisë.

Sipas të dhënave që dalin nga një studim i Universitetit të Bernës, Zvicra ka arritur kulmin e krizës së koronavirusit, shkruan blick.ch dhe srf.ch.

Që nga hyrja në fuqi e masave mbrojtëse, rreth tri javë më parë, numri i infeksioneve të reja nga personat tashmë të infektuar ka rënë në 2.73 në mes të marsit, në 0.59 për person, transmeton albinfo.ch. Mesatarisht, kjo do të thotë që një person i infektuar tani infekton dukshëm më pak persona të tjerë (më pak se një person, mesatarisht).

Kështu, ky zhvillim ka prodhuar tashmë pasoja pozitive: kulmi i numrit të të shtruarve në spitale ishte tejkaluar që në fund të marsit. Njësoj ishte gjendja edhe sa i përket zënies së shtretërve të kujdesit intensiv.

Ndërkohë, edhe vdekjet nga koronavirusi duket se ka lëvizje drejt zbutjes së situatës. Sipas studimit, kulmi është arritur me shënimin e 60 vdekjeve të reja në ditë. Studimi parasheh që, në rastin më të keq, nga koronavirusi do të vdesin  dukshëm më shumë se 2.000 njerëz, përcjell albinfo.ch. Ndërsa në rastin më të mirë, do të ketë mbi 1500 të vdekur.

Studimi aktualisht supozon një numër prej pothuajse 2.000 vdekjesh. Kjo shifër tregon se numri do të dyfishohej, pasi që sipas gjendjes së djeshme (9 prill) në Zvicër kishte 913 vdekje të konfirmuara nga koronavirusit, sipas epidemiologut Christian Althaus.

Parashikimet e para duke përdorur modelin nga Universiteti i Bernës qenë bërë më 24 mars. Atëherë kishte dallime edhe më të mëdha midis skenarëve disa skenarëve të mundshëm të zhvillimit të situatës, transmeton albinfo.ch. Ndërkaq, siç shkruan Blick, shifrat janë përditësuar sërish vetëm të enjten (dje). Dhe, ato tregojnë se situata rreth koronavirusit është zhvilluar në mënyrë më të favorshme sesa supozohej fillimisht nga studiuesit e Universitetit të Bernës.

Modeli në fjalë bazohet në supozimin se sëmundja shpërthen mesatarisht 5.2 ditë pas infeksionit, përcjell albinfo.ch Shkalla e vdekshmërisë është 1.2 për qind dhe sipas modelit, rreth pesë për qind e të infektuarve duhet të shtrohen në spital.