Lajme

Studim: Rritet numri i rasteve me kancer tek të rinjtë, ja faktorët që po ndikojnë

Faktorë të tillë, si obeziteti dhe konsumimi i alkoolit, po kontribuojnë në një rritje shqetësuese të rasteve të kancerit në nivel global tek të rinjtë, sugjeron një studim.

Studiuesit vlerësuan se midis 1990 dhe 2019 kishte një rritje prej 79% të rasteve të reja të kancerit tek njerëzit nën moshën 50 vjeç.

Megjithatë, normat në Britaninë e Madhe u stabilizuan nga viti 2010 në 2019 me shkallën vjetore të vdekjeve nga kanceri i hershëm “në rënie të vazhdueshme”.

Një ekip nga Universiteti i Edinburgut dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Zhejiang në Kinë analizuan të dhënat nga studimi i Barrës Globale të Sëmundjeve 2019 për 29 raste kanceresh në 204 vende dhe rajone.

Ata shikuan rastet e reja, vdekjet, rezultatet shëndetësore dhe faktorët e rrezikut tek njerëzit e moshës 14 deri në 49 vjeç, duke vlerësuar një normë vjetore për çdo vit, transmeton dpa, përcjell albinfo.ch.

Kishte 3.26 milionë diagnoza të reja të kancerit në mesin e atyre nën 50 vjeç në 2019, një rritje prej 79.1% nga viti 1990. Vdekjet gjithashtu u rritën me 27.7%.

Studiuesit thanë se ndërsa gjenetika mund të luajë një rol, duhanpirja, konsumimi i alkoolit dhe dietat e pasura me mish dhe kripë, por me pak fruta dhe qumësht, janë ”faktorët kryesorë të rrezikut”, së bashku me faktorë të tillë, si pesha e tepërt, aktiviteti i ulët fizik dhe niveli i lartë i glicemisë.