Integrimi
Studim për migrantët kosovarë në Gjermani
Ajkuna Hoppe ka kryer një hulumtim etnologjik për rrjetet politike të migrantëve kosovarë në Gjermani
Atropologia shqiptare ka parë si shpërbëhen subjektet politike, si aktivizohen rezervat kulturore, si anëtarësohen migrantët në parti.
Ajkuna Hoppe ka kryer një studim mbi organizimin e rrjeteve të migrantëve kosovarë në një pjesë të Gjermanisë.
Ajo ka punuar në vitin 2007 për rreth gjashtë muaj me një komunitet shqiptarësh të Kosovës, migrantë në zonën e Shtutgartit për të bërë një hulumtim në terren mbi një temë të palëvruar, atë të krijimit të rrjeteve politike të migrantëve shqiptarë.
Të gjitha studimet e bëra për migrantët kosovarë në Gjermani dhe në Zvicër ishin të pamjaftueshme për antropologen Hoope.
“ Prandaj unë pyeta veten çfarë mund të bëja ndryshe. Ndryshe nga fushat e tjera të shkencës në etnologjie është e lejueshme të sjellësh përvojat personale. Që do të thotë se në etnologji mund të bëhen vëzhgime vetërefleksive për situatën dhe ato kthehen në pjesë të studimit. Këtë bëra dhe unë. Unë kam shkruar disa faqe se çfarë do të thotë për mua si shqiptare, të kryej një studim për shqiptarët e Kosovës”, tha Ajkuna Hoppe.
Hoppe, e cila ka marrë pjesë në një grup studimor për çështjet e migracionit të grupeve të caktuara si kroate, greke etj, është përqendruar te shqiptarët e Kosovës, migrantë në Gjermaninë jugperëndimore.
“Interesi im ishte të shihja si konstituohet një komunitet migrantësh në një moment krize politike”, shpjegon Hoppe për Deutsche Wellen.
Ajo zgjodhi momentin kur një nga partitë më të mëdha të Kosovës, ndodhej në vitin 2007 në krizë, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Partia ishte përçarë dhe kjo përçarje pasqyrohej edhe në diasporë.
“Konfliktet në atdhe reflektohen tek migrantët. Në studimin tim unë merrem me krizën e kësaj partie në diasporë”, tregon Hoppe. Studimin e saj Ajkuna Hoppe e titullon “Flokë, heronj dhe gji nëne” (Haare, Held und Mutterbrusst).
Ai trajton marrëdhëniet e një rrjeti migrantësh kosovarë që krijon një komunitet, si shpërbëhen subjektet politike, si aktivizohen rezervat kulturore. Hoppe flet në mënyrë specifike si bëhen pjesëtarët e një familjeje migrantësh anëtar partie dhe si krijohen në përgjithësi rrjetet politike mes migrantëve.
Më pas, si krijohet kumbaria e flokëve dhe si mbahet ajo e gjallë në migracion më shumë se në Kosovë.
Kumbaria e flokëve ka të bëjë me prerjen nga një kumbar i flokëve të foshnjave, që sipas zakonit nuk priten deri në një farë moshe. Flokët priten kur fëmija është një ose një vjeç e gjysmë, në momentin kur fëmija hiqet nga gjiri i nënës dhe është në gjendje të jetojë vetë.
“Ajo që unë pashë ishte se zakone të tilla që nuk praktikohen më në Kosovë gjallërohen në Shtutgart. Kjo në mes të njerëzve që kanë një status të caktuar. Për mua ishte e rëndësishme të shikoja si gërshetohen raportet midis njerëzve nëpërmjet ringjalljes së zakoneve, që marrin forma politike”, tregon antropologia.
“Kështu në Shtutgart, një kryetar partie, ishte kumbar i disa fëmijëve. Kumbaria ngjiz edhe më shumë lidhjen shoqërore. Ai bëhet kumbar, dhe duke u bërë i tillë merr edhe përkrahjen e familjeve”, thotë Hope.
Deri në atë kohë nuk ka pasur asnjë lloj studimi që të merrej me fokusime të tilla.”Në përgjithësi ka qenë shumë e vështirë. Sepse të vetmet studime që kishin të bënin me kosovarët ishin ato të kriminalistikës, të tipit “çfarë metodash përdorin shqiptarët e Kosovës kur hyjnë për të vjedhur shtëpitë”, tregon për vështirësitë e studimit Hoppe.
Vështirësia më e madhe është se për të bërë studime të tilla duhet të depërtosh në komunitetin e migrantëve. Dhe depërtimi mes shqiptarëve është shumë i vështirë,” thotë Hoppe, e cila po punon prej tre vjetësh në Universitetin e Nju Jorkut, për të marrë titullin doktor në antropologji.
“Unë kërkova shumë, por ajo që gjeta ishte e llojit „pse shqiptarët e Kosovës thonë që janë turq, grekë, italianë dhe nuk tregojnë identitetin e tyre?”, pyet Hoppe.
Ky është një vëzhgim, por studimet që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve, me nivelin thelbësor mungojnë krejtësisht për shqiptarët e Kosovës.
Debatet për migrantët në Gjermani janë të përqendruara në aspektin kulturor, duke anashkaluar atë ekonomik të migrantëve.
“Ajo që vërehet janë ndryshimet kulturore, kurse ndryshimet materiale nuk shikohen”, thotë Hoppe, e cila vëren ndryshimet midis Gjermanisë dhe SHBA-së në debatet mbi migrantët.
Në pjesën e dytë, atë mbi nderimin e heronjve Ajkuna Hoppe përshkruan si shprehet adhurimi ndaj martirëve.Në momentin e krizës të dy grupimet e përçara partiake pretendojnë ta kenë heroin për vete.
“Çdo fraksion politik kërkon ta ketë heroin për vete. Pra zhvillohen luftëra të tilla pretenduese. Unë përshkruaj një ceremoni në Shtutgart, të zhvilluar në një ndërtesë të vjetër të zjarrfikëseve. Atje ishin mbledhur qindra vetë, krejtësisht të izoluar nga shoqëria gjermane”, nënvizon antropologia shqiptare.
Në pjesën e tretë, “Gjiri i nënës” Ajkuna Hoppe, përshkruan Kongresin e partisë, si prezantohen përfaqësuesit e ndryshëm të partisë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të Evropës, si bëhen shpjegimet për komunitetet politike, rolet e diapsorës etj.
Shtutgarti ka qenë vendi ku ka jetuar Ibrahim Rugova në emigracion dhe qendra e partisë në Evropë.
“Unë kam pritur shumë kohë për të botuar librin. Të gjitha emrat janë anonim dhe jam përpjekur që të mos fus gjëra që do të më krijonin vështirësi më pas. Kam pritur shumë gjatë për ta botuar. Sepse mendoja se studimit i kishte kaluar koha, por në fakt nuk është kështu. Studimi është më bashkëkohor se kurrë,” vlerëson punën e saj Ajkuna Hoppe.
Me këtë studim ajo ka mbrojtur diplomën në Universitetin e Tybingenit në sociologji dhe antropologji. Studimi botohet tani nga Shtëpia Botuese Lit. /albinfo.ch & DW/
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër? Gomat e dimrit nuk janë të detyrueshme në Zvicër. Ekspertët besojnë se rregulloret aktuale janë të...
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes