Tematike

Studim: Mirëqenia në Zvicër është rritur ndjeshëm në 30 vjetët e fundit

“Rritja e prosperitetit dhe mirëqenies gjatë 30 vjetëve të fundit është dukshëm e nënvlerësuar”, thotë Luc Zobrist, shef i ekonomisë në AWI

Shtimi i banorëve të Zvicrës si pasojë e rritjes së të huajve që vinë për të jetuar dhe punuar këtu, shpesh merret si faktor për uljen e mirëqenies në këtë vend. Por, një analizë e bërë nga AWI (Zyra për Çështjet Ekonomike e Kantonit të Cyrihut) tregon diçka tjetër, gjithsesi më optimiste.

Në vazhdim, pjesë nga kjo analizë.

Ekonomia zvicerane vetëm po zgjerohet. Shumë njerëz mendojnë se prosperiteti individual në fakt po zvogëlohet. Ndërsa Zyra për Çështjet Ekonomike të Kantonit e Cyrihut (AWI) ka hetuar çështjen se si është zhvilluar prosperiteti në Cyrih dhe gjithashtu në Zvicër gjatë dekadave, transmeton albinfo.ch. “Rritja e prosperitetit dhe mirëqenies gjatë 30 viteve të fundit është dukshëm e nënvlerësuar”, thotë për Blick Luc Zobrist, Shef i Ekonomisë në AWI.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Cyrihut, (pas “pastrimit” të ndikimit të inflacionit”), është rritur mesatarisht me 1.8 për qind në vit nga viti 1991 deri në vitin 2022. Gjatë së njëjtës periudhë, PBB për kokë banori është rritur, e përshtatur për inflacionin, nga 81,000 franga në 104,000 franga – pra me 0.8 për qind në vit. Për krahasim: rritja në gjithë Zvicrën ka qenë pak më e lartë në 15 vitet e fundit, që do të thotë se hendeku me Cyrihun po ngushtohet. Në vitin 2022, PBB-ja zvicerane për kokë banori ishte 84,700 franga.

Megjithatë, të dhënat tregojnë gjithashtu se rritja ekonomike për kokë banori në Cyrih është ngadalësuar ndjeshëm në mijëvjeçarin e ri, trasnmeton albinfo.ch. Pra, pothuajse në të njëjtën kohë me futjen e lëvizjes së lirë të njerëzve, e cila përshpejtoi ndjeshëm emigracionin në kanton. “Kjo të jep përshtypjen se ne vetëm po rritemi në gjerësi,” thotë Zobrist. Megjithatë, një faktor vendimtar shpesh harrohet.

Rritet fitimi, pakësohen orët e punës!

Brenda 30 viteve, PBB-ja për orë të punuar është rritur ndjeshëm më shumë, në 39 për qind, sesa është rasti me rritjen për kokë banori, me 28 për qind. Në një krahasim në mbarë Zvicrën, diferenca është edhe më e madhe: 45 për qind krahasuar me 29 për qind. “Pra, njerëzit fitojnë dukshëm më shumë në orë, por në të njëjtën kohë ata punojnë gjithnjë e më pak. Kjo është gjithashtu një rritje në prosperitet”, thotë Zobrist.

Në Cyrih, orët e punës për të punësuar kanë rënë me 80 orë në vit. Kjo do të thotë se banorët fitojnë pothuajse gjysmë pasdite kohë të lirë në javë. Në të gjithë Zvicrën, fitimi në kohën e lirë ishte 50 për qind më i lartë.

E matur në termat e PBB-së për orë të punuar, prosperiteti në Cyrih është rritur me 1.1 për qind në vit gjatë 30 viteve të fundit. Kjo do të thotë se 58 për qind e rritjes ekonomike i atribuohet produktivitetit më të lartë dhe vetëm 42 për qind popullsisë në rritje, transmeton albinfo.ch. Edhe pse Cyrihu si qendër financiare ka vuajtur shumë më tepër nga pasojat e krizës globale financiare të vitit 2007, pjesa e rritjes së popullsisë në rritjen ekonomike në fakt është ulur që atëherë – edhe pse dy vitet e fundit ende nuk janë marrë parasysh.

Në pjesën tjetër të Zvicrës, gjërat duken pak më rozë në krahasim me Cyrihun: Këtu ekonomia është rritur më shpejt në raport me popullsinë.

Kaq kanë përfituar pagat

Ajo që në fund të fundit ka rëndësi për popullatën e punës është se sa nga kjo reflektohet në pagat e tyre, përveç uljes së orarit të punës. Vitet e fundit, pothuajse 60 për qind e rritjes së PBB-së në Zvicër ka përfunduar në xhepat e fuqisë punëtore, siç tregojnë përllogaritjet e qendrës kërkimore ekonomike KOF në ETH Cyrih. Të ardhurat për orë të punës janë zhvilluar pothuajse në një hap me PBB-në reale që nga viti 1991. Dhe ka pasur pak ndryshime në shpërndarjen e të ardhurave.

Me përjashtim të dy-tre viteve të fundit, në të cilat rritja e çmimeve ka çuar në humbje reale të pagave në shumë sektorë. Pandemia e koronës, problemet e zinxhirit të furnizimit dhe lufta në Ukrainë ndikuan në ekonominë globale dhe Zvicrën – dhe në një farë mase ndikimi vazhdon ende.

Në dekadat e fundit ka pasur një tjetër efekt prosperiteti që deri më tani është injoruar: Zviceranët jo vetëm që mund të përballojnë më shumë sot se sa mundën 30 vjet më parë, përcjell albinfo.ch. “Ata përfitojnë gjithashtu nga cilësia shumë më e lartë e shumë mallrave dhe shërbimeve, të cilat mund të kapen vetëm pjesërisht nga PBB-ja” thotë Zobrist. Kështu, për shembull dikur, për të marrë njohuri duhej të kishe enciklopedi të tëra librash Brockhaus në familje. Sot njerëzit mund të marrin njohuri falas në Wikipedia, për shembull. Qasja në muzikë është bërë gjithashtu shumë më e lehtë dhe më e lirë falë portaleve të transmetimit.