Lajme

Studim: COVID po bëhet më i aftë të përhapet nëpërmjet ajrit

Virusi që shkakton COVID-19 mund të jetë duke u bërë më i aftë për sa i përket lëvizjes dhe përhapjes me anë të ajrit, sugjeron një studim i ri.

Studiuesit zbuluan se pacientët e infektuar me variantin Alpha të këtij virusi – varianti më i përhapur në kohën kur u bë ky studim – shkarkonin në ajër 43 deri në 100 herë më tepër virus se sa njerëzit e infektuar me versionin origjinal të koronavirusit.

Një shkaktar i rëndësishëm ishte fakti që pacientët e infektuar me Alpha kishin më tepër sasi të virusit në hundë dhe pështymë.

Ky studim zbuloi gjithashtu se maskat e mbajtura nga pacientët me raste të lehta të COVID-19 mund ta ulnin sasinë e grimcave që mbartnin virus në ajër me rreth 50%.

“Ne e dimë që varianti Delta që po qarkullon tani është edhe më ngjitës se sa varianti Alpha”, u shpreh autori Don Milton nga Universiteti i Maryland.

‘Qasje me disa shtresa’ për të luftuar COVID

Gjatë fazave të hershme të pandemisë, besohej se COVID-19 transmetohej vetëm me anë të kollës dhe teshtitjes dhe ai nuk trajtohej si një virus që transmetohej me anë të ajrit.

Por sipas autorëve të këtij studimi, sasia e virusit në aerosolët e çliruara në ajër nga pacientët e infektuar është gjithnjë duke u shtuar.

Për një mbrojtje më të mirë kundër COVID-19, studiuesit rekomandojnë një “qasje me disa shtresa”, e cila përfshin vendosjen e maskave, ventilimit më të mirë, vaksinimit, filtrimit dhe përdorimit të dezinfektueseve që pastrojnë ajrin me rreze Ultraviolet./Euronews