Lajme

Studim: A pranojnë zviceranet të martohen me të huajt?

Shumica në Zvicër preferojnë martesa me të njëjtën kulturë

Një studim i ri tregon se të rinjtë në Zvicër janë të hapur në martesa edhe pse shumica e tyre preferojnë të martohen me dikë nga e njëjta kulturë, transmeton albinfo.ch.

Së fundmi, Dirk Baier, një studiues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Cyrih, ka anketuar të huajt që jetojnë në Zvicër, emigrantët si dhe qytetarë zviceranë, për të parë se si ndjeheshin ata për marrëdhëniet ndërkulturore.

Ky studim zbuloi se 70 për qind e pjesëmarrësve në studimin e tij ishin tolerantë ndaj kulturave të tjera, por shumë prej tyre nuk do të martoheshin me një partner të një kombësie tjetër, shkruan “The Local”.

Ky konstatim mbështetet nga statistikat që tregojnë se numri i martesave ndërkombëtare ra në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në mesin e të huajve të lindur në Zvicër.

“Në thelb, ata kanë një prirje për njerëzit me të njëjtën origjinë”, vuri në dukje studimi.

Baier dhe ekipi i tij i pyetën të anketuarit nëse ata menduan se njerëzit duhet të martohen vetëm brenda kulturës dhe fesë së tyre, transmeton albinfo.ch. Shumica e të huajve ranë dakord se duhet.

“Në anketën tonë, ne zbuluam se ata që zakonisht merren mirë me njerëz nga grupe të tjera etnike, kanë më shumë të ngjarë të hyjnë në një marrëdhënie përtej kufijve kulturorë”, tha Baier.

Disa grupe, shtoi ai, izolohen më shumë se të tjerët, veçanërisht njerëzit e ardhur nga ish-Jugosllavia, ku hyjnë serbët, shqiptarët, kroatët, malazezët, si dhe nga Turqia dhe Sri Lanka.

“Në kulturat tradicionale dhe konservatore, marrëdhëniet nuk janë vetëm çështje private midis çiftit, por familja ka një identitet gjithashtu”, tha ai. /Albinfo.ch.