Kosova

Studentët zviceranë ndihmojnë turizmin në Kosovë

25 studentë të turizmit nga Zvicra janë angazhuar në zonën e Kelmendit të Shqipërisë, në Prizren, Prishtinë, Graçanicë dhe Roganë të Kamenicës, ku kanë analizuar ofertat turistike të këtyre regjioneve

Prej vitesh Shkolla e Lartë e Turizmit (ShLT), nga Lucerni dhe Thuni i Zvicrës kalojnë një seminar njëjavor jashtë shtetit. Qëllimi i tyre është që të promovojnë dijen e tyre në vendet me potencial turizmi, duke sjellë përvojat e turizmit nga Zvicra në vendet respektive.

Drejtori  i ShLT-së në Thun, z. Marcel Furer një pjesë të orarit të tij të punës e kalon nëpër vende të ndryshme të botës, duke hulumtuar mundësinë e bashkëpunimit me shtete të ndryshme në fushën e turizmit.

Shënimi i shtegut të ecjes në Roganë të Kamenicës

Që nga viti 2016, rreth 50 studentë të kësaj shkolle sjellin përvojat e veta edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Të shpërndarë në grupe të vogla, ata veprojnë në vende urbane dhe rurale për të hulumtuar potenciale turizmi në këtë pjesë të Evropës, gjithmonë duke bashkëpunuar me ndërmarrësit turistikë vendorë.

Punimet e këtyre studentëve përcillen edhe nga docentë-ekspertë të turizmit të angazhuar nga Shkolla e Lartë e Turizmit në Lucern e Thun.

Docentët Ch. Beck dhe D. Bahofner gjatë kontrollimit të seminaristëve në Roganë

Nga biseda me docenten e ShLT-së dhe njëkohësisht zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Turizmit Zviceran, zonjën Chantal Beck, e cila gjatë gjithë javës ishte me studentët në Kosovë, po veçojmë disa nga përshtypjet e saj rreth punës së studentëve.

25 studentë në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosov%ARs %3K%rFstrong>

„Shkolla e Lartë e Turizmit nga Lucerni prej vitesh vepron jashtë shtetit. Në kuadër të një seminari intensiv, studentët, çdo vit, e kalojnë bashkarisht një javë në një shtet me potencial turistik. Në Kosovë kjo shkollë është e pranishme për të tretën herë.

25 studentë janë angazhuar në zonën e Kelmendit të Shqipërisë, në Prizren, Prishtinë, Graçanicë dhe Roganë të Kamenicës. Ata kanë analizuar ofertat turistike, i kanë grumbulluar idetë për zhvillimin e produkteve, kanë shënuar shtigje për ecje si dhe kanë përpunuar propozimet për përmirësimin e shërbimit cilësor.

Sërish ishte një javë e ngjeshur. Studentët kanë vlerësuar lartë mikpritjen, bashkëpunimin konstruktiv dhe peizazhet e bukura natyrore. Shikuar nga aspekti turistik vendi ka shumë potencial, mirëpo oferta dhe vetëdija turistike e popullatës janë ende mbrapa. Nga ana tjetër kultura, historia, natyra dhe kuzhina vendore ofrojnë mundësi të larta të organizimit dhe të tregut të kapaciteteve turistike. Shumica e studentëve kanë ardhur për herë të parë në Kosovë dhe po kthehen me përshtypje dhe kujtime tejet të bukura dhe pozitive. “Me Xhevdet Kallabën, personin tonë kontaktues, organizatorin dhe mikpritësin si dhe me familjen e tij Shkolla e Lartë e Turizmit llogarit edhe në të ardhmen një bashkëpunim shoqëror dhe mësimor”.

Studentet shënuan shtigjet për ecje në Roganë të Kamenicës

Katër studente, sikur edhe vitin e kaluar, janë vendosur në bujtinën „Kallaba Guesthouse“ në Roganë të Kamenicës. Studentet: Marion Niklaus, Selina Bermet, Irina Reinle dhe Rebekka Zurkirchen morën në përpunim projektet e bujtinës së Xhevdet Kallabës që ishin: shënimi i shtegut të ecjes nga bujtina e deri në fshatin bregor Krenidell; Zgjerimi i plasimit të bujtinës në internet; Përgatitja e një projekti për hapjen e një zyre turizmi në Komunën e Kamenicës, dhe bashkëpunimi në të ardhmen ndërmjet Zvicrës dhe Komunës së Kamenicës.

Duke u njoftuar me gjendjen reale të turizmit në këtë komunë studentet erdhën në përfundim se në gjithë rajonin mungojnë oferta turistike. Pas shënimit të shtegut për ecje mund të thuhet se janë vënë themelet e para në këtë drejtim, ndërkaq përmirësimi i pranisë online si dhe ndërmjetësimi informativ për turistët, rajonin mund ta bëjë më atraktiv dhe më të plasuar në tregun turistik. Ky grup rajonin e Kamenicës me peizazhet e saj idilike e sheh si potencial në rritje të atraktivitetit turistik.

Nga takimi në Komunën e Kamenicës

Komuna, e interesuar për të përfituar nga përvoja zvicerane

Pas një takimi konstruktiv me kryetarin e Komunës së Kamenicës, z. Qendron Kastratin si dhe me përfaqësuesit e departamenteve të ndryshme: Arianit Ibrahimin, Valdete Sopin, Nexhmije Kallabën dhe Majlinda Krasniqin grupi arriti ta prezantojë idenë e hapjes së një zyre informative për turizëm.

Interesimi nga pala e komunës ishte i madh, saqë u bisedua edhe për mundësinë e një bashkëpunimi dypalësh me theks të veçantë në krijimin e partneritetit të Kamenicës me ndonjë komunë të Zvicrës, ndërkaq derisa të punësohet ndonjë zyrtar për turizëm këtë detyrë do ta kryejë vullnetarisht z. Xhevdet Kallaba.

Me Xhevdet Kallabën në Roganë

I pyetur për zhvillimin e turizmit në Komunën e Kamenicës z. Kallaba u shpreh: „Konsideroj se Kamenica ka potenciale për turizëm anise malet tona nuk janë të larta si Alpet zvicerane ose edhe ato shqiptare. Në bashkëpunim me Klubin e Atletikës „Rogana“ dhe të rinjtë e fshatit Roganë tashmë kemi shënuar një pistë prej dhjetë kilometrash me mundësi zgjatjeje deri në 14 km. Po ashtu Komuna e Kamenicës ka rrugë të shumta që mund  të shërbejnë edhe për shtigje biçikletash. Kjo trevë është po ashtu e njohur edhe për ajër të pastër, ngase nuk ka ndotës të ajrit në një diametër prej rreth 100 kilometrash. Shpresoj që në të ardhmen do t’i krijojmë edhe hartat turistike me vendbanime dhe monumente të lashta si Kulina, kalaja e Kopërnicës dhe monumente të tjera kulturore e fetare“.

Në Lepushë të Kelmendit

Dhjetë studentë të tjerë nga ky grup janë vendosur në Lepushë të krahinës së Kelmendit, në Shqipëri. Qëllimi i seminarit të tyre ishte përpunimi i ofertave konkrete, zhvillimi i mëtejmë i projekteve ekzistuese si dhe atyre që preferohen nga përgjegjës të turizmit në Kosovë dhe Shqipëri.

„Për studentët e ShLT-së ky rajon ishte një sfidë e re. Ky vend është paksa i lënë anash dhe më pak i zbuluar. Udhëtimi nga Prishtina është i gjatë, por ia vlen të vizitohet fshati Lepushë që shtrihet në një kanion idilik“, thotë docenti dhe eksperti i turizmit nga Thuni i Zvicrës, z. Daniel Bachofner.

Pamje nga Lepusha

Për bukuritë natyrore dhe mikpritjen bujare z. Bachofner shprehet: „Grupi i ShLT-së ka përjetuar ngrohtësisht mikpritjen e lartë, peizazhet e mrekullueshme, atmosferën familjare si dhe ushqimet tradicionale në bujtinën „Alpini“ në Lepushë. Kjo pjesë e Shqipërisë shquhet për ata turistë që kërkojnë qetësi shpirtërore, shoqërim me natyrën (ecje) etj. Përkujdesja ndaj studentëve nga mikpritësit vendorë e sidomos nga zvicerano-shqiptari me dy shtetësi, z. Ueli Landolt ishte fenomenale. Dhjetë studentëve iu mundësua njohja me jetën dhe traditat autentike, por edhe me problemet me të cilat përballet kjo krahinë. Besoj që ShLT-ja edhe vitin e ardhshëm do të stacionojë studentë në këtë pjesë të Shqipërisë“, tha z. Bachofner.

Kanjoni i Lepushës

Ai më tej foli edhe për grupin që ishte i vendosur në Prizren. „Qyteti i bukur bashkë me rrethinën ofrojnë vlera interesante turistike të cilat duhet të organizohen dhe të prezantohen më mirë në tregun turistik. Kjo bëhet sidomos kur përgjegjësit e turizmit bashkëpunojnë më shumë mesveti. Përshtypje të mira u kishte lënë edhe biseda me me punëtorët e Swisscontact-it që veprojnë në këtë qytet“, u shpreh z. Daniel Bachofner.

Pritje nga ambasadori zviceran në Kosovë

Ambasadori Lebet gjatë përshëndetjes së studentëve zviceranë në Prishtinë

Në përfundim të seminarit të gjitha grupet raportuan punimet e tyre në prani të ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet, docentëve të tyre dhe mikpritësve të grupeve të studentëve. Me këtë rast ambasadori Lebet ishte mirënjohës për punën e studentëve në fushën e turizmit, duke kujtuar studentët se për këto ditë sa kanë qëndruar në Kosovë edhe ata kanë qenë ambasadorë të Zvicrës në këtë vend