Lajme
Studentët shqiptarë, të bashkuar për të ndihmuar njëri-tjetrin
"Societas Albania" është shoqata që u rikthye në funksion nga një grup të rinjsh studentë, qëllimi i të cilëve është që t`u dalin në ndihmë me informata të gjithë atyre që zhvendosen për studim dhe banim në Vjenë
Para pak vjetësh ata ishin vetë të tillë, studentë të sapoardhur në një shtet të huaj. Pa informata të plota e të sakta, pa pasur kujt t`i kërkojnë përgjigje. Këto vështirësi nëpër të cilat kaluan dikur, i bëri që të krijojnë një rrjet ku do të ndihmohen të tjerët. Tashmë të gjithë ata që kanë për synim të studiojnë në Vjenë dhe duan të zhvendosen këtu, mund të drejtohen tek “Societas Albania”.
Themelimi/riaktivizimi i shoqatës “Societas Albania”
Shoqata fillimisht kishte nisur si një grup i krijuar në rrjetin social “Facebook”. Edon Govori, student i Inxhinierisë Softuerike në Universitetin Teknik të Vjenës, njëherësh kryetar i shoqatës, thotë për albinfo.at se kishte parë interesim të madh të studentëve për t`u lidhur me njëri-tjetrin, por mungonin organizimet. Kështu, një grup të rinjsh vullnetarë u bashkuan për ta krijuar atë që kanë sot. Një shoqatë që informon dhe organizon aktivitete për studentët shqiptarë.
“Ideja për të krijuar së pari grupin “Studentët shqiptarë të Vjenës“ në Facebook ka ekzistuar që nga koha kur unë personalisht isha në procesin e aplikimit dhe kisha nevojë për informacione rreth studimeve në Vjenë. Pas ardhjes këtu, kjo ide filloi të merrte më shumë kuptim, pasi që mungonin organizimet, të cilat përveç karakterit edukativ, kulturor apo argëtues, po ashtu do të mundësonin rrjetëzimin e studentëve shqiptarë në Vjenë.
Duke parë potencialin e madh, bashkë me disa studentë të tjerë vullnetarë, vendosëm që të bashkohemi e të zyrtarizojmë me një shoqatë. Ne e pamë të arsyeshme që të riaktivizojmë shoqatën më të vjetër të studentëve shqiptarë në Vjenë, `Societas Albania`”, thotë Edoni.
Rrjetëzimi i studentëve, qëllimi i shoqatës
Bashkimi i studentëve shqiptarë në Vjenë është qëllimi kryesor i kësaj shoqate. Për ta arritur këtë, “Societas Albania” organizon aktivitete të karakterit edukativ, kulturor dhe argëtues.
“Kjo shoqatë ka për qëllim rrjetëzimin e studentëve shqiptarë në Vjenë si dhe informimin e saktë mbi jetën studentore në Austri. Organizimi dhe aktivitetet tona kanë karakter edukativ, kulturor dhe argëtues ndërsa qëllimin kryesor e kanë bashkimin e studentëve shqiptarë në Vjenë. Në fokusin tonë qëndrojnë problemet e ndryshme që studentët hasin gjatë ardhjes, si dhe qëndrimit në Vjenë. Përkrah aktiviteteve të ndryshme argëtuese, shoqata “Societas Albania” mban edhe sesione informuese për tema nga më të ndryshmet. Ne synojmë po ashtu që kjo shoqatë të jetë pikë adresimi për studentët që synojnë vijimin e Universitetit në Vjenë, duke përfshirë çdo lloj informate rreth procedurave të aplikimit, qëndrimit dhe jetesës në Vjenë”, thotë për albinfo.at, Elmedina Jashari, sekretare e shoqatës, e cila studion Administrim Biznesi në Universitetin e Vjenës.
Por, kur u themelua kjo shoqatë?
Elmedina tregon se në vitin 1918 “Societas Albania” njihej si shoqëri e studentëve shqiptarë “Albania” e më pas në vitin 1995 iu shtua para edhe fjala “Societas” që në gjuhën latine nënkupton: shoqëri ose bashkësi.
“Shoqata studentore “Societas Albania” u themelua në Vjenë në vitin 1918 si shoqëri e studentëve shqiptarë “Albania” nga studenti i mjekësisë Jani Basho, e cila funksionoi deri në vitin 1930 dhe gjatë kësaj kohe botonte edhe gazetën e saj “Djalëria”. Në vitin 1995 shoqata studentore u rithemelua nga studenti i gjuhësisë, Shkumbin Brestovci, dhe ajo pati veprimtari edhe gjatë Luftës së Kosovës. Në këtë kohë, studentët shqiptarë në Vjenë angazhoheshin për informim në Austri mbi ngjarjet në Kosovë. Në 25 vjetorin e kësaj shoqate ne si studentë morëm përsipër riaktivizimin e saj me datë 12.06.2020 me ç` rast u zgjodh edhe kryesia e re”, thotë ajo.
Aktivitetet e “Societas Albania”
Që nga riaktivizimi, shoqata nuk i ka ndalur aktivitetet e saj edhe përkundër pandemisë që kaploi botën vitin e kaluar. Edoni thotë se duke iu përshtatur kushteve, ata shpesh kanë organizuar aktivitete që janë mbajtur në ambiente të jashtme.
“Që nga riaktivizimi në muajin qershor të vitit të kaluar përmes Kuvendit Zgjedhor, ne kemi vazhduar çdo muaj me aktivitete. Menjëherë në muajin korrik, kemi organizuar hiking të shoqëruar me grill në disa nga hapësirat atraktive të Vjenës, në muajin gusht një natë filmi në ambient të hapur afër Spittelau në Vjenë, në bashkëpunim me Dokufestin. Ndërsa, në muajin shtator, kemi vizituar disa prej universiteteve të Vjenës për t’ju dhënë mundësinë studentëve të rinj të shohin nga afër disa nga objektet më të rëndësishme të universitetit të tyre dhe të pajisen me informacionet e nevojshme, që semestri i parë të jetë sa më i lehtë”, shprehet ai.
Për t`iu përmbajtur rregullave anti-Covid, ata takimet i kanë zhvilluar përmes platformave të ndryshme online.
“Pavarësisht që i kishim të pamundura takimet në prezencë, atmosfera në grupin e kryesisë ishte mjaft pozitive dhe motivuese, ne vazhduam me punën duke zhvendosur mbledhjet e kryesisë në formatin online. Këtë e bëmë duke organizuar aktivitete në këtë format përmes Zoomit si sesionin informues me profesionistë shqiptarë të fushës mbi valën e dytë të COVID-19, sesion informues rreth procedurave për aplikim në Vjenë në bashkëpunim me organizatën DIMAK Kosovo, trajnime për formatin e debatit British Parliamentary, diskutime për tema të ndryshme…”, shton Edoni.
Pandemia, ndikimi te shoqata
Digjitalizimi ka mundësuar që pandemia të mos ndikojë në informimin e studentëve shqiptarë. Ligryn Petja, student i Ekonomisë në Universitetin e Vjenës, i cili kryen funksionin e arkëtarit në këtë shoqatë, thotë se qasja në informacionet e nevojshme ka qenë e lehtë.
Por, thotë ai, problem ka qenë kategorizimi i informatave në mënyrë që ato të jenë sa më lehtë të qasshme dhe më të qarta për studentët.
“Fatmirësisht informacioni në institucionet e arsimit të lartë në Austri, por jo vetëm, është i bollshëm dhe relativisht lehtë i qasshëm. Gjithashtu në rastet kur kemi pyetje më të veçanta, gatishmëria për të ofruar informacion specifik nga këto autoritete në përgjithësi është më se e kënaqshme. Kështu që, parë nga ky këndvështrim, kjo nuk ka qenë tepër problematike. Problem më i madh do të thosha, më tepër ka qenë tek seleksionimi dhe kategorizimi i këtyre informacioneve në mënyrë që studentët ta kenë atë sa më të përqendruar dhe të përkthyer në gjuhën shqipe. Këtë gjë jemi munduar ta bëjmë me rubrikën FAQ në uebsajt-in tonë www.societasalbania.at, ku jemi munduar të përmbledhim pyetjet më të shpeshta që na vijnë nga studentët në një rubrikë të posaçme”, thotë ai.
Box
Shoqata e parë e studentëve shqiptarë të Vjenës ishte themeluar në vitin 1918
“Shoqata studentore “Societas Albania” u themelua në Vjenë në vitin 1918 si shoqëri e studentëve shqiptarë “Albania” nga studenti i mjekësisë Jani Basho, e cila funksionoi deri në vitin 1930 dhe gjatë kësaj kohe botonte edhe gazetën e saj “Djalëria”. Në vitin 1995 shoqata studentore u rithemelua nga studenti i gjuhësisë, Shkumbin Brestovci, dhe ajo pati veprimtari edhe gjatë Luftës së Kosovës
Box 2
Kontakti
Të gjithë ata që kanë pyetje rreth studimeve në Vjenë, mund të kontaktojnë shoqatën përmes llogarisë në Facebook apo Instagram, si dhe përmes E-Mailit [email protected].
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës