Lajme

Stacioni i trenit HBF Zürich, më i miri në Evropë

Një shoqatë e konsumatorëve ka ekzaminuar stacionet e trenave të Evropës. Stacioni kryesor i Cyrihut kryeson listën

Shoqata e Konsumatorëve në SHBA, Consumer Choice Center ka bërë vlerësimin e afër 50 stacioneve më të mëdha të trenave në Evropë për të realizuar “Indeksin vjetor të Stacioneve Hekurudhore Evropiane”, transmeton albinfo.ch.

Në raportin përfundimtar të sapopublikuar, stacioni kryesor i Cyrihut zuri vendin e parë me 93 nga 108 pikë të mundshme – pak përpara stacioneve kryesore në Frankfurt, Mynih dhe Berlin.

Ndër të tjera, në këtë ranglistë është vlerësuar se sa i qasshëm është stacioni për pasagjerët me karrige me rrota, për personat me aftësi të kufizuara në ecje apo për personat me shikim të dëmtuar. Po ashtu është vlerësuar si plus fakti nëse stacioni konkret ka WiFi falas dhe sa e madhe është gama e ushqimeve dhe blerjeve në vend.

Stacioni i trenit në Bernë, i cili ishte i vetmi stacion tjetër hekurudhor zviceran që u vlerësua për listën, u rendit i 27-ti me 67.2 pikë.

SBB është e kënaqur me rezultatin

Sipas autores së studimit, Maria Chaplia, stacioni kryesor i trenit i Cyrihut ka qëndruar veçanërisht mirë me objektet e tij tregtare, shkruan 20minuten.ch. “Edhe pse stacioni nuk ka destinacionet më të shumta ndërkombëtare dhe kombëtare, ai ofron një numër të madh dyqanesh, kioskash, restorantesh dhe ushqimesh që të mund të zgjedhin udhëtarët.”

Indeksi është krijuar për të ndihmuar udhëtarët dhe operatorët të kuptojnë se cili stacion u shërben më mirë pasagjerëve, thotë Chaplia. “Për më tepër, në përqasje me refugjatët ukrainas që kërkojnë siguri në Evropë, të kesh shërbime thelbësore si Wi-Fi falas, akses me karrige me rrota dhe disponueshmëri të dyqaneve dhe kioskave në stacionet e trenave mund të jetë shpëtimtare”.

SBB është e kënaqur me rezultatin: “Stacionet janë kartëvizita e SBB”, thotë zëdhënësja Sabrina Schellenberg, përcjell albinfo.ch. “Ne investojmë një shumë përkatëse në cilësinë e qëndrimit, kemi shërbim të zgjeruar dhe një përzierje ofertash që nxjerrin në pah diversitetin e rajoneve. Jemi të kënaqur që klientët e stacionit i vlerësojnë këto përpjekje”.