Feja

St. Gallen u jep dritë jeshile varrezave myslimane

Komunave u mbetet autonomia për të vendosur, që në rast nevoje, të hapin varreza edhe për besimtarët e feve jo të krishtera

Në kantonin St. Gallen komunat mund të vendosin vetë për të krijuar hapësira për varrezat e myslimanëve. Kjo del si përfundim i përpunimit të një ligji të ri mbi varrezat dhe varrimet që është debatuar sot në Parlamentin Kantonal.

Një vit më parë në këtë kanton kishte pasur rezistencë kundër ligjit, sa u përket varrezave për myslimanët dhe kjo kishte bërë që qeveria e kantonit të kthente mbrapshtë projektligjin e saj. Ndërsa sot, të martën ajo ia kishte paraqitur parlamentit një projekt të moderuar në krahasim me të parin.

Dallimi kryesor që parasheh propozimligji i qeverisë është që komunës i mbetet kompetenca dhe autonomia për të vendosur, që në rast nevoje, të hapë varreza edhe për besimtarët e feve tjera (jo të krishtera).

I prezantuar në këtë formë, ligji ishte i pakontestuar nga askush në parlament.

Në Zvicër tashmë ekzistojnë varreza të veçanta ku myslimanët varrosen sipas riteve të tyre fetare në disa qytete si në Cyrih, Bernë, Bazel dhe Gjenevë. Nga kjo vjeshtë një hapësirë për varrimin e myslimanëve do të jetë në dispozicion edhe në Winterthur, shkruan “St.galler Tagblatt”.

Sipas rregullave islame, të vdekurit e këtij besimi duhet të varrosen të ndarë nga besimtarët e feve tjera dhe arkivoli duhet të drejtohet nga Meka. Veç kësaj, varrimi duhet të bëhet në ditën e vdekjes ndërsa nuk preferohet stolisja e varrit.