Kosova

Sporti xhudo nga Kosova, triumfuse në gjithë botën

Kosova triumfuse e xhudos në botë

Akil Gjakova dhe Laura Fazliu sot, në kërkim të medaljes së Artë.

Kur flasim për sukseset në arenën europiane, sporti i parë më i suksesshëm në Kosovë është Xhudo, sport ky që ka sjellë shumë medalje nga Kampionatet Europiane, shkruan albinfo.ch.

Vetëm klubi “Ippon Peja” ku ushtrojnë sportistët më të mirë, si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Distria Krasniqi e shumë të tjerë, ka rekord të pabesueshëm medaljesh, gjithsej në mbi 30 medalje.

Me më së shumti medalje radhitet fituesja e Lojërave Olimpike “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi.

Pas saj është Distria Krasniqi, e cila dje fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa në finale e mposhti kampionen olimpike, argjentinasen, Paula Pareto.

IJF-ja ka shkruar se do të mbahen mend fitoret e fuqishme të Krasniqit.

“Krasniqi! Kjo është e tëra”, ka komentuar IJF-ja për t’ia rritur edhe më shumë vlerën e medaljes së xhudistes kosovare.

Tashmë ekipi kosovar i xhudos i përbërë nga shtatë xhudistë janë duke e përfaqësuar Kosovën në garën “Grand Slam” që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë.

Gara në fjalë është e organizuar nga Federata Botërore e xhudos (IJF) ku po marrin pjesë më shumë se 450 xhudistë nga e gjithë bota, gjithsejtë 4 kontinente dhe 69 shtete pjesëmarrëse

Ky “Grand Slam” ka nisur dje (e premte) dhe do të mbyllet nesër (e diele).

Në kategorinë 48 kilogramë, Distria Krasniqi e fitoi dje (e premte) medaljen e artë pas një ecurie fenomenale, derisa Shigeki Nakamura (66kg), Flaka Loxha (57kg) dhe Nora Gjakova (57kg) janë eliminuar.

Ndërkaq, sot (e shtune), do të garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë si dhe Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë. /Albinfo.ch