Integrimi

Sporti në Bazel foli në gjuhën e miqësisë dhe integrimit

Të dielën që shkoi, nën moton “Sporti flet një gjuhë, në Bazel u mbajt një turnir futbolli i përbashkët për vendësit dhe migrantët. Organizatorë të këtij aktiviteti sportiv integrues ishin ABSM (Qendra për trajnim dhe këshillim të migrantëve) dhe klubi i futbollit BSC “Old Boys”

Duke qenë i njohur për rolin e jashtëzakonshëm që ka sporti në lidhjen në mes të njerëzve që flasin në gjuhë të ndryshme, një turnir futbolli sikur ky përbën gjithsesi rast ideal për takime të ndërsjella në mes të vendësve dhe popullatës me prejardhje të huaj, përtej kufizimeve kulturore që kanë mes tyre, thuhet në një komunikatë të ABSM  Në këtë kuptim, organizatori ia ka dalë që krejtësisht në shenjë të motos “Sporti flet një gjuhë”, të japë një kontribut për integrimin e banorëve të ardhur rishtas në Bazel dhe popullatës me prejardhje migracioni.

Qindra veta kanë marrë pjesë në këtë aktivitet, qoftë duke luajtur futboll e qoftë si tifozë të njërit ose ekipit tjetër. Familjarë, miq dhe në përgjithësi njerëz të të gjitha grupmoshave bën pjesë në këtë mes.

Hapja zyrtare është bërë në orën 11, me ç`rast udhëheqësi i njësisë për integrim dhe diversitet në në qytetin e Bazelit, Andreas Räss ka mbajtur një fjalë mbresëlënëse. Sipas tij, projekti ingtegrues “Sporti flet një gjuhë” mund të krahasohet me konceptin burimor të themelimit të Lojërave Olimpike. Në sport, ka thënë ai, njerëzit nga e gjithë bota vijnë në kontakt me njëri tjetrin. Fryma olimpike lidh popujt dhe vepron kundër egoizmave nacionalë. Në “Sporti flet një gjuhë”, po kështu, ajo që ne na interesonte më shumë nuk ishte patjetër loja e futbollit por takimet dhe harmonia shoqërore, thuhet më tutje në komunikatë..

Pas hapjes së aktivitetit, me disa valle të Shkollës së Vallëzimit “Shota”, u prezantua një pikë tjetër e rëndësishme e manifestimit.

Ndërkaq, gjatë tërë ditës në program kanë qenë aktivitete të ndryshme sportive. Sigurisht, një turnir i madh futbolli, në të cilin morën pjesë 14 ekipe përbënte ofertën kryesore të ditës. Në turnir morën pjesë më shumë se 100 lojtarë me prejardhje të huaj dhe katër ekipe nga qendrat e strehimit të azilkërkuesve. Këto të fundit janë siguruar përmes shoqatës “Migranten helfen Migranten”. Ndërsa në fund të ditës u bë edhe ndarja e çmimeve, të cilën e bënë përfaqësuesit e ABSM-së dhe “BSC “Old Boys”. Fitues i vendit të parë ishte skuadra “Afrika”, e përbërë ekskluzivisht nga azilkërkuesi, të cilët pastaj e festuan me eufori këtë fitore.

Krahas turnirit të futbollit, të gjitha kategoritë e pranishme, si gratë, burrat dhe fëmijët, patën mundësinë të kënaqeshin duke luajtur basketboll dhe volejboll.

Aktivitete të veçanta për fëmijët dhe të rinjtë kanë qenë veç tjerash edhe vrapimi në 100 metra. Vrapimi isjhte i ndarë në dy kategori: për fëmijët 7-8 vjeçarë dhe ata 9-11 vjeçarë.

Krahas aktiviteteve sportive, në dispozicion të mysafirëve ishte edhe restoranti në kompleksin sportiv “Schützenmatte”, i cili kishte një ofertë të pasur me ushqime dhe pije. Po ashtu, mysafirët kanë pasur mundësi të informohen për ofertat e ABSM-së në fushë të integrimit e shkollimit, në një stendë informative që kjo kishte vënë në dispozicion.

 

“Shota” me ekipin e vet në turnir

Është interesante se Shkolla Shqiptare e Vallëzimit në Zvicër “Shota” ka marrë pjesë edhe në turnir me një ekip futbolli. “Sigurisht, rezultati nuk ka shumë rëndësi por e rëndësishme është pjesëmarrja dhe lidhja e kontakteve me pjesëmarrësit tjerë, të shumë komuniteteve tjera të huaja dhe me vendësit”, ka thënë për albinfo.ch Agron Bajrami, udhëheqës dhe themelues i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota”. Sikur edhe herëve tjera, Agroni dhe bashkëshortja e tij Liria, po ashtu drejtuese e “Shotës”,  ishin këtu të  pranishëm me të gjithë anëtarët e familjes, edhe përkundër problemeve shëndetësore që kanë pasur kohëve të fundit. E veçanta në këtë pjesëmarrje ka qenë se së bashku me djemtë, për ekipin e Shotës ka luajtur edhe një vajzë.