Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër
Specialisti i reumatologjisë që ka diplomuar dy herë në mjekësi
Albinfo.ch sjell historinë interesante të reumatologut shqiptar që drejton ordinancën e tij private në lindje të Zvicrës, në Wil
Reumatologu, Nait Bajrami, ka një mur të mbushur me diploma të mjekësisë. Jetën studentore e ka nisur më 1982 në Sarajevë si student i veterinarisë dhe i ka dhënë fund më 2007 në Gjermani duke diplomuar si specialist i reumatologjisë . “Në Sarajevë shkova për mos të çuar kohën dëm, pasi që në Universitetin e Prishtinës nuk më pranuan”, kujton doktor Bajrami, fillet e tij studentore, pa menduar ndonjëherë, siç shprehet ai, “se jeta e tij do të kishte kaq shumë batica e zbatica”.
Rinia e tij ka qenë e mundimshme, me plotë peripets e sfida që e kanë shtyrë atë në kufirin e durimit të një njeriu që ka sakrifikuar gjithçka nga vetja, për t’i siguruar familjes së tij, në Piranë, një jetë me të mirë e më të dinjitetshme.
“Në Wil kam gjetur qetësinë”
Doktor Nait Bajrami ka hapur para shtatë vjetësh ordinancën e tij specialistike në Zvicër i ardhur nga Gjermania, si shtetas gjerman. “Këtu kam gjetur qetësinë për punë”, tregon ai,
në bashkëbisedim me albinfo.ch, ndonëse nuk lë pa e përmendur ndjesinë që i japin pacientët zviceranë, të nisur nga kurreshtja për emrin, të ndjehet dy herë i huaj -një herë shqiptar, pastaj gjerman. “Emri im është gjithçka tjetër, veç jo gjerman, prandaj kanë dyshime dhe më pyesin me kurreshtje edhe njëherë se përveç gjerman, çka jam tjetër”, tregon doktor Bajrami, ndryshe shumë i kënaqur me përvojën e tij të shkëlqyer me pacientët zviceranë në ordinancën e tij private në një shtëpi mbi 200 vjeçare.
Qyteti që ai ka zgjedhur për të hapur ordinancën e tij, Wili, ka një numër të madh të banorëve me prejardhje shqiptare. Në këtë regjion shqiptarët shquhen për aktivitete të larmishme kulturore e politike; ekziston një xhami fringo e re shqiptare, një mision katolik shqiptar dhe nënkryetari i socialdemokratëve për kantonin e St Gallenit është me prejardhje shqiptare. Ky qytet ka mbetur po ashtu në kujtesën e shqiptarëve për meshën e organizuar nga besimtarët katolikë shqiptarë në kishën e qytetit në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku merrte pjesë edhe mikja e shqiptarëve, asokohe ministre e Punëve të Jashtme, Micheline Calmy Rey. Se a është edhe kjo njëra nga arsyet që e ka shtyrë doktorin drejt këtij vendi, nuk dihet, por doktori Nait Bajrami thotë pa hezitim, se ky qytet ishte dashuria ime në shikim të parë. “Në këtë qytet jam lidhur sikur lidhesh me dikë në shikim të parë”, kujton doktor Bajrami rikthimin e tij në Zvicër. Por tani jo më si herën e parë, në vitet e nëntëdhjeta kur kishte ardhur të punonte si punëtor krahu në Zvicër, por si specialist i sëmundjeve reumatike.
Në këtë profesion, krahas titullit si mjek i mjekësisë së përgjithshme, është para së gjithash, specialist i sëmundjeve reumatike i cili përcakton peshën e sëmundjes së një pacienti, për aftesinë e tij punuese. Me rekomandim të prizrenasit, pacientët i kthehen punës ose nisin rrugën e testimeve të verifikimeve për pension invalidor.
Por kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë për të. Sfidat që ai ka hasur në ngritjen e tij profesional, duken më të rënda se te çfarëdo bashkatdhetari që ka kryer madje edhe punë krahu.
“Qysh si student në Prishtinë me duhej shpesh, gjatë tëre javës ta haja ushqimin e njëjtë…”. Kurse për ta paguar rrugën për në shtëpi duhej t`i shisja kuponat e ushqimit të fundjavës e të rrija tërë ditën e premte pa bukë”, kujton ditët e vështira studentore, iai që sot, ndonëse ka të gjitha mundësitë, bën një jetë modeste pa luksin e një mjeku të pasur.
Festa e Bajramit e shpëton nga lufta në Bosnjë
Dr. Nait Bajrami tregon se si i kishte shpëtuar krejt rastësisht rrethimit të Sarajevës duke u kthyer në Kosovë për festën e Bajramit. “Më 1991 më kishin mbetur edhe tri provime dhe ne refuzonim provimet e organizuara nga serbët (profesorët shqiptarë ishin përjashtuar të gjithë nga puna). Kështu, shkova në Sarajevë për ti kryer provimet“.
Një vit më vonë, më 1992, ai kishte ardhur në Kosovë për festën e bajramit dhe nuk ishte kthyer më kurrë në Bosnje. “Mbeta në Kosovë, sepse atje filloi lufta”. Më 1993 ka diplomuar në Prishtinë dhe pas një viti ka mbaruar edhe praktikën në spitalin e Gjakovës. Për një kohë ka punuar nëpër shtëpi duke improvizuar dhomat private, pas masave të dhunshme të pushtetit serb. “Odën e babës e kisha kthyer në një ambulancë për mjekim të pacientëve që kërkonim ndihmë mjekësor”, tregon ai.
Duke parë kushtet e rënda të punës nën masat e dhunshme, doktor Bajrami, largohet nga Kosova, duke kërkuar fatin e tij të jetës, edhe njëherë, larg familjes, në Gjermani.
Mjek në Kosovë, teknik medicinal në Gjermani
Në pamundësi që të punonte si mjek në Gjermani ai kishte bërë punën e teknikut medicinal. Më 1995 ai regjistron Fakultetin e Mjekësisë në Tübingen, afër Stuttgartit. “Atje mi njohën shumicën e provimeve të mbaruar në Universitetin e Prishtinës”. Tri vite pasi që kishte lëshuar Kosovën, doktor Bajrami diplomon edhe një herë, por kësaj radhe në Gjermani, ku e bën edhe praktikën dhe fillon jetën e re si mjek, më vonë edhe si specialist i reumatologjisë, mirëpo larg gruas dhe tre djemëve, të cilët jetonin në Kosovë.
Ai ka jetuar për vite me radhë larg gruas dhe fëmijëve. Vetëm tani viteve të fundit që është stabilizuar me ordinancën e vet dhe i janë rritur fëmijët, ka sjellë gruan të jetojë me të në Zvicër. Tre djemtë që ai nuk i ka parë të rritën në afërsi të tij, sot janë bërë burra. I madhi ka diplomuar në ekonomi, i dyti mjekësi në Prishtinë duke ndjekur zanatin e babait, dhe treti është student i arkitekturës në Konstanz të Gjermanisë, tregon Bajrami.
Në vitin 2006 dr. Naiti ka specializuar në mjekësi interne dhe më 2007 në reumatologji. Ai ka punuar për një kohë si kryemjek në një klinikë rehabilitimi, një kohë ka punuar në Lörrach, po edhe ne Lindau si mjek i lirë i angazhuar nëpër klinika e spitale ku është shfaqur nevoja dhe ka drejtuar ordinancën e tij reumatologjike ne Lörrach, për të cilën gjermanët nuk i kishin lëshuar leje afatgjate pune, me arsyetimin e dendësisë së ordinancave.
Dallimet e sëmundjeve mes pacientëve vendas dhe nga Ballkani nuk janë të mëdha, pos, që thotë se kur kemi të bëjmë shpesh me dhimbje kronike të shpinës ose „dhimbjes si sëmundje“, kjo nga ana e mjekëve vendas ka marrë emrin „Syndromi Ballkan“.
“Sëmundja i ka 100 fytyra” thotë internisti i specializuar edhe në reumatologji
Me pacientët kërkohet durim dhe shumë diskutime, duhet krijuar besimin e duhet kuptuar pacientin para se ta trajtosh, sepse një sëmundje shfaqet në njëqindë mënyra. “Mjekët këtu flasin dhe i dëgjojnë shqetësimet e pacientëve”. Ai tregon si krijon besimin me pacientët e tij përmes bisedës e shpjegimeve që ju jep për trajtimin e një sëmundjeje. Sidomos të atyre kronike që shumë herë janë të përcjella me frikën „se mos është diçka serioze ose sëmundje e keqe”, thotë doktor Bajrami. „Mjekësia në Kosovë, pa e përgjithësuar, krahas mosdijes dhe mungesës së përvojës për të vepruar ndryshe, manifestohet edhe me papërgjegjësi dhe mungesë hierarkie“, vlerëson doktori që ka kaluar nëpër universitete e spitale kosovare e gjermane, nga ku duke parë përgjegjësinë e lartë të punës dhe hierakisë të gjermanët, ka një vlerësim tejet kritik ndaj kolegëve të tij në Kosovë.
Të tjera nga Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025