Lajme

Spanja shpreson se nuk do të mbyllet kufiri me Francën

Ministrja e Turizmit në Spanjë, Reyes Maroto, tha të mërkurën se rritja e rasteve me koronavirus në Kataloni po vihet nën kontroll dhe ajo po shpreson se nuk do të ketë nevojë që Franca të mbyllë kufirin me Spanjën.

Turizmi përbën rreth 12% të ekonomisë së Spanjës, kësisoj ministrat në Madrid kanë shprehur shqetësim pasi kryeministri francez, Jean Castex, të dielën nuk e përjashtoi mbylljen e kufirit.

“Me të dhënat e fundit që kemi në Aragon dhe Katalonia, jemi pak më optimistë. Katalonia tashmë ka zvogëluar numrin e infeksioneve gjatë tri ditëve të fundit”, i tha Maroto agjencisë së lajmeve Europa Press.

“Le të shpresojmë që nuk kemi pse të mbyllim një kufi që për ne është shumë i rëndësishëm për lëvizshmërinë me partnerët tanë evropianë”.

Katalonia regjistroi 63 raste të reja të martën, 70 të hënën dhe 994 të dielën, nga një kulm prej 1.226 të shtunën, përcjell albinfo.ch.