Uncategorized

Spanja e respekton maksimalisht Shqipërinë

Trajneri spanjoll, Julen Lopetegui, dhe dy futbollistët David De Gea e Thiago Alcantara kanë thënë se respektojnë shumë Shqipërinë, megjithatë, nuk janë nën presion dhe do të luajnë pa frikë

Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui është i ndërgjegjshëm se Shqipëria është një kundërshtar i vështirë për Spanjën e tij. Në konferencën për media në prag të duelit të sotëm në “Loro Boriçi”, trajneri tha se ekipi i tij nuk do të ketë presion përballë kuqezinjve, shkruan albinfo.ch.

“Nuk kemi aspak presion. E dimë që luajmë ndaj një kundërshtari të fortë. Shqipëria është një ekip që ka ardhur gjithnjë në rritje. E ka fituar kualifikimin në Evropian, ndërsa ka fituar me Portugalinë dhe Francën. Jemi të ndërgjegjshëm që do të përballemi me një skuadër me nivel. Nuk kemi frikë, por e respektojmë maksimalisht kundërshtarin. Mendoj se këtë respekt Shqipëria e ka fituar nga ndeshja në ndeshje”, është shprehur trajneri spanjoll.

Ai ka shtuar se kualifikimi nuk është i lehtë. “Jemi të vetëdijshëm që bëjmë pjesë në një grup shumë të vështirë. Kundërshtarët tanë janë ekipe të ngjeshura, por ne do të bëjmë më të mirën në harkun e dy viteve”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, portieri David De Gea ka folur edhe për gabimin e portierit italian, Gianluigi Buffon. “Gabimet janë gjëra që ndodhin në punën e një portieri. Në Gjermani dhe Angli lojtarët vlerësohen shumë, kurse gabimet e portierëve vihen menjëherë në shënjestër dhe portierët kritikohen shumë”.

Portieri spanjoll foli edhe për tifozët në Shqipëri. “Në Shqipëri ka shumë mbështetës të Barcelonës dhe Realit të Madridit? Në fakt, mua më interesojnë më shumë ata të Manchester Unitedit”, deklaroi ai, duke qeshur.

Edhe mesfushori Thiago Alcantara ka folur për Kombëtaren kuqezi. “Nuk janë vetëm ekipet e mëdha që duhen marrë seriozisht, por edhe ato që cilësohen si të vogla. Diferencat janë ngushtuar së shumti. Futbolli është i padrejtë, pasi mund të luash mirë e të ndëshkohesh nga një gol në minutën e fundit. Megjithatë, një barazim në fushën e Italisë nuk është rezultat aspak negativ”, theksoi mesfushori i Bayernit.