Tematike

Sot Zvicra voton për natyralizimin e lehtësuar dhe për dy iniciativa të tjera

Çështjet për të cilët qytetarët me të drejtë vote do të mund të votojnë sot në nivel të vendit janë: Iniciativa mbi natyralizimin e lehtësuar të të huajve të gjeneratës së tretë; Iniciativa mbi krijimin e një fondi për rrugët nacionale dhe për trafikun në aglomeracione (NAF) dhe Iniciativa për ligjin e Reformimit të Ndërmarrjeve (USR III)

Dita e sotme, 12 shkurti 2017, është ditë e votimeve (referendumeve) në nivel nacional për tri iniciativa të ndryshme dhe e dhjetëra të tjerave në nivele kantonesh e komunash.

Sipas praktikës së njohur, shumica e madhe e zviceranëve votën e tyre e kanë dhënë tashmë përmes votimit me postë. Për ata që ende nuk kanë vendosur, ose që duan të shfrytëzojnë votimin klasik, në kutia të votimit, kjo mundësohet në qendrat e votimit të cilat në pika të ndryshme tüë vendbanimeve janë të hapura deri në orën 12 të ditës.

Çështjet për të cilët qytetarët me të drejtë vote do të mund të votojnë sot në nivel të vendit janë: Iniciativa mbi natyralizimin e lehtësuar të të huajve të gjeneratës së tretë; Iniciativa mbi krijimin e një fondi për rrugët nacionale dhe për trafikun në aglomeracione (NAF) dhe Iniciativa për ligjin e Reformimit të Ndërmarrjeve (USR III).

albinfo.ch sqaron në formë të shkurtër për lexuesit e vet thelbin e çështjeve gjegjësisht iniciativave për të cilat votohet sot.

Iniciativa mbi natyralizimin e lehtësuar të të huajve të gjeneratës së tretë

Për vet faktin se çështjet me të huajt janë zakonisht më sensitive dhe për faktin se për iniciativa të ngjashme është votuar edhe shumë vite më parë, Iniciativa për Natyralizimin e Lehtësuar ka qenë më shumë pjesë e debateve dhe mediave. Edhe votimi për këtë iniciativë pritet të jetë i ngushtë dhe interesant.

Parlamenti i Zvicrës në sesionin e tij vjeshtor të vitit 2016 ka vendosur për një ndryshim kushtetues, i cili u mundëson të rinjve të huaj të brezit të tretë të natyralizohen më lehtë. Sipas këtij vendimi, ajo që do të thjeshtohet është procedura: edhe më tutje pra duhet bërë kërkesa (nuk ka natyralizim automatik) dhe duhen plotësuar një varg parakushtesh. Edhe kriteret për integrim mbeten të njëjta. Ndryshimi ose lehtësimi sipas këtij ndryshimi  konsiston vetëm në këtë: Të huaj të gjeneratës së tretë konsiderohen ata persona të cilët e kanë së paku njërin gjysh/gjyshe të lindur në Zvicër ose që ka pasur leje qëndrimi në Zvicër. Kjo e fundit (leja e qëndrimit) nuk duhet të dokumentohet patjetër por mjafton që të bëhet e besueshme.

Pro: Këshilli Nacional dhe të dyja dhomat e Parlamentit e rekomandojnë votimin Pro. Po ashtu në favor janë edhe të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament përveç SVP/UDC-së. Pra: SP, BDP, EVP, FDP, GLP Grüne jf, JCVP, Junge Grüne dhe JUSO.

Kundër: SD EDU SVP JSVP (Vetëm SVP/UDC-ja është e përfaqësuar në parlament dhe në qeveri)

Iniciativa për krijimin e fondit për rrugët nacionale dhe për trafikun në aglomeracione (NAF)

Qeveria dhe Parlamenti e kanë krijuar fondin për rrugët nacionale dhe për trafikun në aglomeracione (NAF) për të siguruar financimin e rrugëve nacionale për një afat të gjatë. Me votimin e kësaj iniciative, puna, mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrjetit nacional të rrugëve me të renë do të financohej nga ky fond që nuk kufizohet në kohë. Ky financim në të ardhmen do të përbëhej nga burimet e deritashme dhe ato të reja. Të ardhurat e tërësishme nga shtesa në taksat e naftës dhe nga vinjetat e autostradave edhe deri më tash derdhen në arkat federale. Ndërsa burimet shtesë që do të vinin si rezultat i votimit në favor të iniciativës janë të ardhurat nga taksat e automjeteve dhe 10 për qind nga të hyrat e taksës së naftës.

Pro: Qeveria dhe Parlamenti e rekomandojnë ndryshimin e Kushtetutës Federale rreth kësaj çështjeje. Partitë që janë Pro: BDP CVP EVP FDP GLP jf SVP.

Kundër: Grüne SP EDU Junge Grüne JUSO SD

Iniciativa për ligjin e Reformimit të Ndërmarrjeve (USR III)

Disa modele të caktuara të ndërmarrjeve si: Holding, shoqëritë domicile dhe të përziera, deri më tash kanë përfituar nga taksat e ulëta. Me kohë, këto privilegje tatimore i janë nënshtruar një presioni ndërkombëtar dhe prandaj duhet të hiqen. Në vend të tyre do të hyjnë në fuqi masa të reja për lehtësim tatimor.

Pro: Qeveria dhe Parlanenti

Kundër: SP, Grüne dhe sindikatat kanë qenë kundër ligjit përkatës prandaj kanë iniciuar referendumin