Mësohet se sot do të mbahet thirrja e parë me video mes negociatorëve të BE-së dhe SHBA-së për tarifat e administratës Trump, përcjell albinfo.ch.
“Ne nuk do të reagojmë kot: duam t’i japim negociatave çdo mundësi për sukses, për të gjetur një marrëveshje të drejtë që do të sjellë përfitime për të dyja palët. Për këtë arsye, me mandat të Presidentes von der Leyen, kam rënë dakord me kolegët e mi amerikanë të mbajmë një video-thirrje për të shqyrtuar mënyrën më të mirë për të dalë nga kjo fazë e panevojshme dhe e dhimbshme, duke adresuar shqetësimet legjitime të të dyja palëve”, tha Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, përcjell ANSA.
“Megjithatë, BE-ja nuk do të mbetet pasive nëse nuk arrijmë një marrëveshje të drejtë me partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.
Goditje të rëndë për ekonominë botërore po e konsideron Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vendimin e Presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave universale, derisa ka thënë se ato do të prekin konsumatorët në mbarë botën.
Në një konferencë për media, von der Leyen ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndërmarrë kundërmasa nëse bisedimet me Uashingtonin dështojnë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, të cilat do të hyjnë në fuqi më 5, përkatësisht 9 prill në mesnatë, sipas kohës amerikane. Në mesin e vendeve që SHBA ka vendosur tarifa janë edhe Kosova e Shqipëria, me nga 10 për qind.