Shkurt.ch

Sot i dorëzohet Shaqirit çmimi “Diaspora”

Solemniteti për ndarjen e çmimit "Diaspora" për vitin 2012 mbahet sonte në Bernë

© Keystone

Sonte,  në një solemnitet rasti në Bernë, futbollisti më i mirë i Zvicrës, shqiptari nga Kosova, Xherdan Shaqiri do të marrë çmimin “Diaspora” për vitin 2012. 

Shaqiri si futbollist i suksesshëm nderohet me këtë çmim për kontributin e dhënë në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të mirë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër. 

Në solemnitetin e sotëm janë të ftuar mysafirë të shumtë nga Kosova dhe Zvicra, ka thënë për albinfon ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj 

Në mesin e të ftuarve është edhe ministri i Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, zyrtarë të lartë të Baselit prej nga edhe vjen Shaqiri, diplomatë të huaj të akredituar në Bernë, si dhe bashkatdhetarë. 

Për ceremoninë e ndarjes së çmimit për Shaqirin kanë treguar një interesim të madh edhe mediat zvicerane, thotë Malaj. 

Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, ka përsëritur qëndrimin se pse është zgjedhur Shaqiri që të nderohet me çmimin “Diaspora” për vitin 2012. 

“Shaqiri është përfaqësuesi më i njohur i bashkësisë kosovare-shqiptare në Zvicër”, ka thënë Malaj. 

Ky futbollist është, sipas tij “një shembull i integrimit të suksesshëm”, dhe më tutje është një ndërtues i rëndësishëm urash mes dy vendeve. “Falë Shaqirit dhe lojtarëve tjerë me prejardhje shqiptare, si Xhaka, Xhemaili, Behrami ose Mehmedi, kombëtarja e Zvicrës ka mijëra tifozë edhe në Kosovë”, ka thënë Malaj për albinfo.ch. 

Edhe Shaqiri vetë ka shprehur kënaqësinë për çmimin në një prononcim të mëhershëm. “Kosova është atdheu i babait tim dhe të parëve të mi”, thotë ai duke pohuar se Kosova ka peshë shumë të madhe për të. 

Lidhjen e tij me të dy kulturat, Shaqiri e përmbledh me një fjali: “Unë jam i lindur në Zvicër, luaj futboll për Zvicrën dhe e ndjej veten si një zviceran me shumë respekt për Kosovën ose si kosovar me shumë respekt për Zvicrën”. 

Shaqiri, si laureat i çmimit “Diaspora” vjen i dyti pas ish-ministres së jashtme Micheline Calmy Rey.

 Në vitin 2010 u promovua për herë të parë çmimi “Diaspora”, që mërgata e Kosovës në Zvicër ia dedikon një personaliteti të rëndësishëm zviceran ose kosovar, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë për Kosovën dhe kosovarët.

 Çmimi i parë “Diaspora” iu dorëzua pastaj në vitin 2011, në një solemnitet zyrtar, ish presidentes dhe ministres së jashtme të Zvicrës, mikes së dëshmuar të Kosovës, zonjës Micheline Calmy Rey.