Shqipëria

Sot, festojnë gjithë shqiptarët

Gjithë shqiptarët në mbarë botë, sot festojnë 105 vjetorin e Ditës së Pavarësisë – 28 Nëntorit.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur. Këtë ditë, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, përcjell albinfo.ch.

28 Nëntori njihet si festa e Pavarësisë dhe Flamurit.

Por, më 28 nëntor kanë ndodhur edhe disa ngjarje të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

28 nëntori është ditëlindja e heroit, Adem Jashari. Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Më 5 mars 1998 u vra gjatë luftimeve me ushtrinë serbe, por emri i tij dhe familjes Jashari ka mbetur në historinë e popullit shqiptar.

Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

Sot bëhen 20 vjet nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.