Kosova

SOS Fshati i Fëmijëve martoi një vajzë, me të gjitha adetet dhe ritet e një familje shqiptare

SOS Fshati i Fëmijëve në Prishtinë me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se të premten kanë martuar një vajzë, e cila ishte rritur në SOS Fshat.

Ajo kishte ardhur aty si e vogël, bashkë me motrat dhe vëllain, derisa të premten është martuar. Ajo është martuar me të gjitha adetet shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Në këtë fshat janë fëmijë që kanë nevojë për përkujdesje. “Fatkeqësisht shumë fëmijë humbasin familjen dhe kujdesin prindërore si rezultat i shthurjes së familjes. SOS Fshatrat e Fëmijëve janë themeluar për të ofruar një shtëpi dhe familje për fëmijët të cilët kanë humbur kujdesin prindëror”, është misioni i tyre.

Dasma e fundit ka emocionuar të gjithë dhe është përhapur shumë në rrjetet sociale.

Njoftimi i plotë:

SOS Fshati i Fëmijëve është familja më e madhe në Kosovë dhe për këtë, Ne stafi, jemi shumë krenarë dhe e ruajmë këtë titull me shumë xhelozi.

Të premten kishim festë në SOS Fshat. Përcollëm njërën nga vajzat tona. Ajo erdhi te ne si e vogël me motrat e vëllain dhe tani u rrit e u bë për martesë. E si ndryshe ta përcjellim vajzën tonë, veç se me të gjitha adetet e ritet që një familje organizon për fëmiun e saj.

Ishte ditë me shumë emocione, lumturi e dashuri, por para së gjithash krenari që përcjellim vajzën për një jetë të re bashkëshortore.

Si gjithmonë, i gjithë stafi i SOS Fshatit ishin shumë solidarë dhe të gatshëm për të organizuar një festë ashtu siç i ka hije një familje të madhe si SOS Fshati. Një falënderim i madh të gjithëve për përkushtimin dhe dhuratat që i përgatitën për vajzën tonë.

Një falënderim i veçantë shkon për Flutura Dedinja e cila me shumë kënaqësi dhuroi fustanin e nusërisë, Vjosa Dolcetto e cila përgatiti tortën e martesës, Gentli shoes dhe shumë e shumë të tjerëve të cilët me aq sa patën mundësi ndihmuan që vajza jonë të ketë një fillim të mbarë të kapitullit të ri të jetës së saj.

Paçin fat e ju priftë e mbara!