Shkurt.ch

Sonte dueli i shumëpritur presidencial në Francë

Nicolas Sarkozy dhe François Hollande, kandidatë për President të ardhshëm të Francës, ballafaqohen sonte në duel televiziv

Prej futjes së tij mes dy rundeve të zgjedhjeve më 1974, debati televiziv i dy kandidatëve të rundit të dytë është eveniment politik i shumëpritur në Francë.

Debati mes kandidatëve aktualë pritet të fillojë sonte në orën 21.00. Ai do të zgjasë mbi dy orë dhe do të përcillet nga 20 kamera, 3 nga të cilat mobile. Skena dhe modalitetet e incizimit janë të rregulluara në mënyrë të përkryer nga ekipet e kandidatëve respektivë. 

Këtë debat pritet ta ndjekin më shumë se 20 milionë telespektatorë, për ta përcjellë konfrontimin verbal mes tyre.

Për zgjedhjet e kësaj radhe ky mund të jetë shansi i fundit i Presidentit aktual të Francës si dhe i kandidatit të së djathtës UMP, Nicolas Sarkozy, për ta goditur opinionin në favor të tij, karshi kundërkandidatit socialist, François Hollande, i cili prin në sondazhe me 53% të votave. Veç kësaj, liderja e së djathtës ekstreme FN, Marinne le Pen, tha dje se do të votojë bardhë dhe se nuk do e mbështesë kandidaturën e Nicolas Sarkozy. Votat e FN mund të peshojnë rëndë në rezultatet e këtyre zgjedhjeve.Debatet presidenciale në Francë janë të njohura për fjalët vrastare që kanë përdorur kandidatët e mëhershëm ndaj kundërkandidatëve të tyre. Ndër fjalitë më të famshme është ajo që është prononcuar më 1981, në debatin mes socialistit François Mitterand, në atë kohë President i Francës dhe kandidat, si dhe kandidatit të djathtë dhe njëkohësisht Kryeministër i Francës, Jacques Chirac.  Ky i fundit iu është drejtuar François Mitterand me fjalinë: «Sonte, ne jemi dy kandidatë të barabartë. Më lejoni që t’ ju thërras Zotëri Mitterand». Përgjgjja e François Mitterand ishte: «Po, keni shumë të drejtë, Zotëri Kryeministër»!