Lajme

Sommaruga mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave

Zvicra mbetet e përkushtuar të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt liberalizimit të vizave, citohet të ketë thënë ministrja Simonetta Sommaruga

Ministrja zvicerane për Polici dhe Drejtësi, Simonetta Sommaruga është shprehur e kënaqur më përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të parandaluar migrimin ilegal. Po ashtu ajo ka përshëndetur Prishtinën zyrtare për riintegrimin e personave të kthyer nga vendet evropiane. 

Simonetta Sommaruga gjatë vizitës në Kosovë ka qëndruar edhe në Ministrinë e Integrimit Evropian.

E shoqëruar nga ambasadorja zvicerane në Prishtinë, Krystyna Marty Lang, nga drejtori për bashkëpunim ndërkombëtarë, Urs Von Arb dhe nga shefi i Divizionit për bashkëpunim policor ndërkombëtarë, Olivier Pecorini, Sommaruga është pritur nga zëvendësministri i Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli.

Siç thuhet në një komunikatë për media, Kasapolli e ka njoftuar delegacionin zviceran  për procesin integrues dhe politik të Kosovës, ndërsa ka thënë se negociatat për MSA janë në përfundim e sipër. Po ashtu sipas tij, edhe procesi për liberalizimin e vizave po ecë në binarët e duhur.

“Janë nënshkruar marrëveshjet për riatdhesim me shumicën e vendeve të Evropës, dhe se qeveria e Kosovës si në nivel lokal ashtu edhe qendror është përkushtuar maksimalisht për riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri të qytetarëve të rikthyer”, deklaroi Kasapollli.

Qeveria e Kosovës me të gjithë mekanizmat përkatës, sipas zëvendësministrit Kasapolli, është duke punuar intensivisht për t’i plotësuar kriteret e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Po ashtu Kasapolli falënderoi Qeverinë Zvicerane për ndihmën që ia kanë dhënë kosovarëve në fushatën vetëdijesimit për liberalizim të vizave.

Zëvendësministri Kasapolli, vuri në pah edhe vizitat nëpër komunat e Kosovës që është duke i realizuar ministrja e Integrimit Vlora Çitaku, për t’u njohur rreth  riintegrimit të personave të riatdhesuar dhe për të identifikuar mundësitë e ngritjes së bashkëpunimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror për riatdhesim dhe riintegrim.

Ndërsa ministrja zvicerane për Polici dhe Drejtësi, Simoneta Sommaruga i përshëndeti institucionet e Kosovës për angazhim në parandalimin e migrimit të rremë. Ajo tha se Kosova në përgjithësi ka arritur progres të konsideruar edhe sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave.

Ndërsa është interesuar të dijë se cilat janë veprimet që Qeveria e Kosovës është duke ndërmarrë për të zvogëluar numrin e migruesve jo të rregullt në zonën Shengen dhe cilat janë sfidat që i hasim në procesin e Riatdhesimit dhe Riintegrimit.