Lajme
Sllovenët, me traditë në bletërritje
Bletaria në Slloveni ka një histori të gjatë dhe mjaft interesante. Ç ‘është e vërteta, sllovenët njihen si mjeshtër për rritjen e bletëve, që nga shekulli VIII i erës sonë.
Këtë e dëshmon edhe viti 1768, kur Maria Tereza, perandoreshë e Hasburgëve, pati angazhuar në shkollën e sapoformuar të bletarisë në Vjenë të Austrisë shkencëtarin slloven në artin e bletarisë, z.Anton Jansha.
Sllovenët si specialistë të bletarisë deri në shekullin XIX kosheret i bënin në trungje pemësh që ishin bosh nga brenda.
Në disa zona të Sllovenisë këto koshere njiheshin si korita ose lugje. Me kalimin e kohës pikërisht me shpikjen e sharrës, lugjet e vjetra prej drurit nisen të zëvendësohen me kosheret e bëra me dërrasa.
Nevoja e madhe për mjaltë dhe dyllë blete ia shtoi kaq shumë vlerën ekonomike bletarisë në Slloveni, saqë qeveritarët e këtij vendi ua dhanë të drejtën për bletërritje vetëm njerëzve të specializuar.
Gjithashtu në bujqësinë sllovene nisi dhe mbjellja e drithërave, ku u përfshi dhe kultivimi i grurit të zi apo hikrrës.
Ky burim i ri ushqimi për bletët bëri që prodhimi i mjaltit në Slloveninë Perëndimore të dyfishohet.
Vetëm Landi i Salzburgut të Austrisë importonte nga Karniola (Kranj i sotëm) mijëra kuintalë mjaltë.
Biologu i njohur slloven, Janez Gregori, nga shumëllojshmëria e bletëve në Slloveni veçon atë karniola.
Ai karniolën e përshkruan si të veçantë dhe karakteristike nga llojet e tjera të bletëve.
Më pas Gregori shpjegon se kjo bletë mjaltëse ka marrë emrin nga regjioni i Karniolës së dikurshme, aty ku sot shtrihet Sllovenia Perëndimore.
Sot, falë popullaritetit që gëzojnë te bletërritësit bletët karniola kanë bërë bujë dhe janë zgjeruar në tërë botën.
Ky tip bletësh përveçse prodhon me shumicë mjaltë të cilësisë së lartë, është rezistent dhe ndaj sëmundjeve dhe të ftohtit.
Për dallim nga llojet e tjera, bletët karniola janë të qeta dhe nuk pickojnë. Megjithëse kanë veti për të lëvizur në grupe të mëdha, kjo një karakteristikë që mund të vështirësojë bletarinë e organizuar.
Mirëpo, është arritur që kjo anë të zbutet nëpërmjet shumëfishimit përzgjedhës. Bletët karniola janë përgjithësisht më produktive se bletët e tjera.
Ato largohen nga kosherja më herët se llojet e tjera, kështu që edhe sjellin në zgjua më shumë nektarmbajtës.
Nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i qindvjeçarit të njëzet studiuesit e bletëve kuptuan se bletët karniola u përshtaten nevojave të bletërritësve në shumë vende.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe bleta karniola filloi të shpërndahej përreth botës. Kosherja tradicionale e ndërtuar me dërrasa mori emrin krajnçin ose kosherja e Karniolës.
Pjesa e jashtme e saj kishte një pamje të veçantë, sepse pikturohej me bojëra vaji, sidomos në pjesën ballore.
Ekspertët thonë se vizatimet shumëngjyrëshe në faqet ballore të koshereve ishin të domosdoshme dhe secili pikturim dallonte nga njëri-tjetri në mënyrë që bletët të ktheheshin më lehtë në kosheret e tyre.
Prandaj, ky pikturim nuk ishte i rastësishëm e as pjesë dekorimi. Meqë, kosheret ishin në të njëjtin vend, një bletë mund të bënte gabim fatal që të hynte në një koshere të huaj dhe të vritej si armik i padëshiruar.
Pra, pikturimi bëhej për qëllime praktike. Shteti slloven sot ka më tepër se shtatë mijë bletërritës që përkujdesën për më shumë se 160 mijë koshere bletësh.
Në qytetin e Radivojlices ekziston një muze i veçantë i bletarisë, i cili i përkushtohet historisë së bletarisë në Slloveni.
Në këtë muze, ndonëse janë ruajtur mbi tre mijë koshere të tilla, këto janë vetëm një pjese e vogël që u ndërtuan dhe u zbukuruan ndër vite.
Sllovenët identifikohen dhe ndiejnë se ngjajnë me bletën, sepse edhe ata njihen si popull shumë punëtorë.
Ata e mbajnë bletën si simbol të nikoqirllëkut, prandaj në Slloveni ka një thënie: ”Vrojtojeni punën e palodhur të bletëve dhe kopjoni ato”.
ARIF EJUPI
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Çfarë duhet të dinë të huajt në Zvicër për opsionet e kurseve të gjuhës Pavarësisht nëse jetoni në pjesën gjermane, franceze ose italiane të Zvicrës, mësimi i gjuhës lokale është...
-
Për Eurovizionin e Kampionatin Evropian, SBB vendos 1600 trena shtesë
-
Shërbimi i teleferikëve dhe hotelet në Zvicër raportojnë dimër pozitiv
-
Në 25 vjet, Cyrihut do t’i mungojnë mbi 80,000 punëtorë
-
Zvicra e mbyll vitin 2024 me inflacion vjetor prej 1.1 për qind