CH-Ballkani

Skllevërit modernë në Ballkan

Firmat e ndryshme të modës i prodhojnë lirë produktet e tyre të shtrenjta në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Atje ligjet shkelen, rrobaqepëset marrin një rrogë që nuk mjafton për të jetuar, e qeveritë e rajonit i mbështesin praktika të tilla.

“I thashë drejtorit tim, që nuk marr dot frymë me këtë makinë qepëse. Brenda në fabrikë është 30 gradë, dhe kur punojmë në makinë temperatura rritet”, rrëfen një punëtore tekstili në Serbi për “Deutche Welle”. Pas kësaj drejtori i makinës e merr tubin e ajrit ia drejton në fytyrë rrobaqepëses e koleges së saj dhe thotë: “Ky është problemi juaj, e nëse ju nuk arrini dot ta përballoni, ka shumë njerëz që presin të zënë vendin tuaj. Dera është atje”, thotë ai. Një tjetër rrëfen se menaxhmenti i firmës kërkoi të mblidhnim para për një matës tensioni, sepse na ‘trajtojnë’ vetë dhe nuk duan të thërrasim një mjek po qe se na bie të fikët, përcjell albinfo.ch.

Të dyja punëtorët duan të mbesin anonime, si shumë të tjera që patën guximin e raportuan për Studimin Evropian për Tekstile të Pastra.

Në këtë industri sundon një atmosferë frike, rregullisht ka kërcënime për humbjen e vendit të punës. Shpesh nuk ofrohen të plota ditët e pushimeve dhe në tualet ose nuk lejohet të shkosh ose me kufizim. “Punëtoret raportojnë, se trajtohen si makineri apo skllevër, jo si njerëz. Atyre u bërtitet, edhe ngacmimi seksual është në rend të ditës”, thotë Bettina Musiolek, koordinatore e CCC për Evropën Lindore dhe Juglindore në bisedë me “Deutsche Wellen”.

Të gjitha këto për një punë me orë shtesë të papaguara dhe një rrogë nën kufirin e varfërisë. Në Serbi zyrtarisht ekzistenca minimale kap shifrën e 278 eurove, dhe një familje me katër anëtarë ka nevojë të paktën për 652 euro që të mbijetojë. Ndërkohë punëtorët e industrisë së tekstilit fitojnë vetëm 202 euro në muaj, në industrinë e këpucëve 227 euro. Rreth 100.000 vetë janë të punësuar në Serbi në këtë sektor.

Megjithatë, Serbia nuk përbën përjashtim. “Për markat globale të modës, vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit janë parajsë e rrogave të ulëta”, theksojnë autorët e studimit. Mes tyre gjenden firma si ‘Benetton’, ‘ESPRIT’, ‘GEOX’ apo ‘Vero Moda’, por edhe marka botërore si ‘Armani’, ‘Calzedonia’, ‘Dolce & Gabbana’ e ‘H&M’. Madje edhe markat e luksit ‘Louis Vuitton’, ‘Prada’ dhe ‘Versace’ prodhojnë lirë aty produktet e shtrenjta.

Këto vende ofrojnë punëtorë të kualifikuar e me çmim të lirë. Rrogat mujore të punëtoreve mezi i arrijnë pagat minimale shtetërore, që variojnë nga 89 euro në Ukrainë në 374 euro në Sllovaki. Një rrogë që mjafton për të jetuar duhet të ishte katër deri në pesë herë më e lartë.

“Në realitet të 1,7 milionë punëtoret e tekstilit në rajon jetojnë në varfëri”, thuhet në studimin e CCC-së. “Nganjëherë as nuk kemi për të ngrënë”, thotë një punëtore ukrainase. Ndërkohë, që qeveritë japin subvencione direkte ose jo direkte për firmat e huaja. Kështu në Serbi, firma të tilla marrin subvencione të majme si dhe truall nën vlerën e tregut, nganjëherë edhe pa para, e këtyre favoreve i shtohen edhe lehtësimet tatimore apo një infrastrukturë falas.