Kriza në Ukrainë

Skenarët se si mund të përfshihet NATO në konfliktin e Ukrainës

Tre skenarët e mundshëm se si lufta në Ukrainë mund të përfshijë NATO-n në konflikt

Në Bruksel, NATO ka diskutuar së fundmi mbi çështjen e sigurimit të pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Sfida për NATO-n, gjatë gjithë kësaj lufte, ka qenë se si t’i jepte Ukrainës mbështetje të mjaftueshme ushtarake, por pa u përfshirë vetë në konflikt me Rusinë.

Qeveria ukrainase ka qenë e qartë me kërkesat për ndihmë. Sipas saj, nëse do të ketë ndonjë shans për të shmangur sulmin e ardhshëm rus në rajonin e Donbasit në lindje të vendit, atëherë ka nevojë urgjente për një furnizim me raketa antitanke dhe antiajrore. Ndër të tjera, Ukraina kërkon tanke, avionë luftarakë, dronë dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore raketore.

Por, çfarë po e pengon NATO-n të përmbushë këto kërkesa? Përgjigjja është përshkallëzimi…. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia ose i përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës në një luftë më të gjerë europiane, është vazhdimisht në mendjet e liderëve perëndimorë.

Çfarë ka dhënë Perëndimi për Ukrainën deri më tani?

– Mbi 30 vende kanë ofruar ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke përfshirë 1 miliard euro nga BE-ja dhe 1.7 miliardë dollarë nga SHBA-ja;
– Furnizimet me armë, municione dhe pajisje mbrojtëse, si sistemet raketore antitanke dhe kundërajrore, duke përfshirë Javelins dhe Stingers, të cilat janë armë kundërajrore, të përdorura më së shumti në Afganistan kundër avionëve sovjetikë;
– Furnizimi me Starstreak – një sistem i mbrojtjes ajrore i prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar;
– Anëtarët e NATO-s kanë frikë se furnizimi me pajisje më të rënda sulmuese, si tanke dhe avionë luftarakë, mund të çojë në konflikt të hapur të drejtpërdrejtë me Rusinë. Por kjo nuk i ka penguar çekët të japin tanke T72.

Presidenti Putin gjatë kësaj periudhe i ka kujtuar shpeshherë botës se Rusia është një fuqi e armëve bërthamore. Planifikuesit strategjikë të NATO-s shqetësohen se sapo të thyhet “tabuja” bërthamore, atëherë rreziku i përshkallëzimit të një shkëmbimi bërthamor katastrofik midis Rusisë dhe Perëndimit rritet në mënyrë të pashmangshme.

Por veç përdorimit të armëve bërthamore, edhe veprimet e NATO-s në Ukrainë, si furnizimet e mëtejshme me armë mund të nxisin një luftë mes tyre dhe Rusisë./CNN