Kosova

S’ka azil pas liberalizimit të vizave

Kërkohet mbështetja e deputetëve, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Schengen

Deputeti i Parlamentit Evropian, Lucas Mandel, u shpreh se pas liberalizimit të vizave, për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë shans për azil.

Mandel këto deklarime i bëri në mbledhjen e pestë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, i cili po vazhdon të mbahet në Kuvendin e Kosovës.

Mandel po ashtu u shpreh se me padurim po e presin votimin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke thënë se edhe komisionari përgjegjës për marrëdhëniet  është angazhuar për t’i bindur shtetet anëtare që të votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, raporton “KosovaPress”.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm votimin pro liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian, u shpreh se rruga për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave ka qenë mjaft sfiduese, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve, në mënyrë që  qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është shumë e rëndësishme që sistemi i drejtësisë të fokusohet edhe në drejtësinë civile, sepse kjo prek drejtpërdrejt qytetarët.

Ai gjatë kësaj mbledhjeje ka ngritur si shqetësim mosfunksionalizimin e Gjykatës Speciale, ku sipas tij, politika nuk mund të japë përgjigje për këto çështje.