Shqipëria

Situata me zjarret në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë informoi pak para mesnatës në lidhje me situatën e zjarreve që kanë përfshirë Shqipërinë.

Më problematike situata paraqitet në Gadishullin e Karaburunit, ku janë angazhuar 319 forca të FA-së, 31 mjete, 4 autoambulanca, 21 punonjës të zjarrfikësve dhe njësisë së pushtetit vendor, si edhe 3 helikopterë për shuarjen e flakëve.

Thuhet se aktualisht në Shqipëri janë 6 vatra aktive. 2 janë shuar tërësisht, ndërsa 1 vatër është izoluar.

Zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv. Vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.

Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau i Dejës, është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Sot ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.

Vijon zjarri edhe në Fushë Arrëz. Në ndihmë të punonjësve vendorë, ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura.

Në fshatin Lukan, në Dibër, flakët momentalisht janë izoluar.

Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigonë kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë. Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre.

Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Ka vijuar operacioni me te gjitha forcat operacionale.

Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë- Selishtë, Bashkia Mallakastër. Sot kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku.

Është shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, Bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, Bashkia Lezhë./