Shkurt.ch

Sindikatat: “Pagat e ulëta, problem urgjent”

Pagat e ulëta përbëjnë më shumë se 10 për qind të vendeve të punës në Zvicër

Zvicra kishte rreth 275.000 vende pune me paga të ulëta në vitin 2010, një pagë më të ulët se 3.986 franga në muaj bruto, shkruhet në publikimin e informatave të Entit Federal Statistikor (EFS). Këto vende përfaqësojnë 10.5% të të gjitha punëve të ofruara nga kompanitë e ndryshme.

Gratë janë më të prekura nga ky fenomen, duke përfaqësuar një shumicë të qartë (68.4%) e të pagava të ulëta. Gati gjysma e këtyre vendeve të punës janë përqendruar në sektorët e shitjes me pakicë, furnizimit ushqimor, restoranteve, strehimit si dhe të ndërtimit e stolisjes së peizazheve, tregon EFS.

Më shumë se gjysma e pagave të ulëta (52.9%) janë të ofruara nga ndërmarrjet e vogla, që punësojnë më pak se 50 veta. Në përgjithësi, niveli i pagave rritet me madhësi të ndërmarrjeve.

Për Unionin sindikal të Zvicrës të dhënat e mbledhura nga EFS-i theksojnë problemin urgjent të pagave të ulëta. Pjesa më e madhe e vendeve të punës në fjalë vjen nga sektorët ku asnjë konventë kolektive për paga minimale nuk është bërë.

Unioni sindikal i Zvicrës ka paraqitur në fillim të këtij viti një iniciativë për paga minimale. Teksti bën thirrje për nxitjen e marrëveshjeve kolektive të punës, por edhe për një pagë minimale të garantuara nga 4000 franga.